Katër ditë para nisjes së vitit të ri shkollor 2026–2027, kushtet e një shkolle në fshatin Çam, në Njësinë Administrative Malzi të Kukësit, janë bërë objekt denoncimi nga Partia Demokratike.
Në pamjet e publikuara nga PD Kukës, godina shfaqet me oborrin e mbuluar nga bari, ndërsa në ambientet përreth dallohen edhe grumbuj drush. Demokratët ngrenë shqetësimin edhe për gjendjen e çatisë, e cila sipas tyre është e amortizuar dhe paraqet rrezik për nxënësit.
Partia Demokratike pretendon se ndërtesa nuk ofron kushtet e nevojshme për zhvillimin normal dhe të sigurt të procesit mësimor, ndërsa e lidh situatën me mungesën e investimeve në zonat e thella.
Përmes denoncimit, PD Kukës kërkon vëmendjen e institucioneve për gjendjen e shkollës, në mënyrë që nxënësit të mos përballen me këto kushte në nisje të vitit të ri arsimor.
Burimi Portali Veriu Sot

