Policia e Shkodrës ka shpallur në kërkim dy individë të dyshuar për kanosje me armë ndaj dy qytetarëve, pas një sherri të mëparshëm fizik me një të mitur.
Sipas autoriteteve, incidenti ka ndodhur më 6 shtator në një lokal të fshatit Gomsiqe e Re, Shkodër. Pas një konflikti fizike mes dy shtetasve dhe një të mituri, dy të kërkuarit kanë hyrë në lokal, ku dyshohet se kanë kërcënuar me armë zjarri dy persona të tjerë.
Videot e shpërndara në rrjetet sociale dokumentojnë momentin kur dy burra, të ardhur me një “BMW X5” me targa britanike, ndalojnë para lokalit dhe hyjnë të armatosur – njëri mban një automatik, ndërsa tjetri një pistoletë.
Kamerat e sigurisë kanë regjistruar çastin kur paniku përfshin klientët, të cilët nxitojnë të largohen për të shmangur përplasjen e mundshme të armatosur brenda lokalit.
Policia ka nisur hetime ndaj tre personave të tjerë, përfshirë edhe pronarin e lokalit në lidhje me ngjarjen.

