Gjatë javës së fundit, Policia Rrugore e Tiranës ka vendosur mbi 13 mijë gjoba, si pjesë e fushatës së shtuar të kontrolleve për të përmirësuar sigurinë në rrugët e kryeqytetit.
Si rezultat i këtyre veprimeve, janë arrestuar 32 individë për vepra penale që lidhen me qarkullimin rrugor. Po ashtu, janë bllokuar 75 automjete për shkelje të ndryshme.
Fushata e kontrolleve është përqendruar kryesisht ndaj mjeteve që prodhojnë zhurmë të lartë, automjeteve që lëvizin me shpejtësi mbi kufirin e lejuar, si edhe ndaj drejtuesve që kapen në timon nën ndikimin e alkoolit ose në gjendje të dehur.
Gjatë inspektimeve, janë identifikuar edhe dy raste kur drejtues mjetesh janë përpjekur të korruptojnë punonjësit e Policisë, pasi ishin ndaluar duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, janë penalizuar gjithsej 19 drejtues.
Janë regjistruar 4,998 masa administrative për shkelje që prekin sigurinë rrugore, ndërsa 7,868 masa të tjera janë vendosur për ndalim, qëndrim apo parkim të parregullt, me pasoja në pengimin e lëvizjes së lirë. Një vëmendje të veçantë kanë marrë edhe drejtuesit e motomjeteve, të cilët janë ndëshkuar në 1,093 raste për mosvendosje të kaskës mbrojtëse.
Policia Rrugore ka theksuar se kontrollet do të vijojnë në akset kryesore të Tiranës, duke i bërë apel të gjithë drejtuesve të automjeteve të respektojnë rregullat, të shmangin drejtimin e mjetit nën ndikimin e alkoolit dhe të tregojnë kujdes të shtuar në trafik.

