Kullat tradicionale të Veriut synohet të mos mbeten vetëm pjesë e trashëgimisë historike, por të kthehen në hapësira funksionale që mund t’i shërbejnë turizmit dhe zhvillimit ekonomik të zonave.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka njoftuar se Programi Kombëtar për Rijetëzimin e Kullave është në fazën përfundimtare të hartimit, në bashkëpunim me GIZ dhe ASHK. Objektivi është që gjatë vitit 2027 të nisë kalimi nga evidentimi dhe projektimi drejt investimeve konkrete.
Sipas të dhënave të bëra publike nga ministri, deri tani janë trajtuar 697 çështje pronësie në qarqet Shkodër, Dibër, Lezhë dhe Kukës. Paralelisht, janë përgatitur 28 projekte konceptuale për restaurimin e kullave, në bashkëpunim me Fakultetin e Arkitekturës të UPT-së.
Një nga grupet prioritare përfshin 64 kulla të shpallura Monument Kulture. Ideja është që këto ndërtesa të restaurohen dhe t’u jepen funksione të reja, pa humbur karakteristikat e tyre tradicionale.
Mes alternativave të parashikuara janë bujtinat, agroturizmet, muzetë dhe qendrat e mikpritjes, duke i kthyer kullat në pika tërheqëse për vizitorët dhe njëkohësisht në burim të ardhurash për komunitetet lokale.
“Nga kujtesa historike, në asete të gjalla të zhvillimit të Veriut”, ka deklaruar Gonxhja, duke e cilësuar programin si një mundësi për të ruajtur trashëgiminë arkitekturore dhe për t’i dhënë asaj një rol të ri në zhvillimin e turizmit në veri të vendit.

