Një sipërmarrje e re në Shkodër po sjell një qasje ndryshe në bletari, duke bashkuar prodhimin tradicional të mjaltit me apiterapinë dhe turizmin rural. Pas këtij projekti qëndron Jozefi, një i ri shkodran, i cili ka vendosur të zhvillojë një aktivitet që ndërthur natyrën, produktet e bletës dhe përvojat alternative të mirëqenies.
Nisma, e nisur gjatë kësaj pranvere, është vizituar dhe promovuar nga ministri i Bujqësisë, Andis Salla, gjatë qëndrimit të tij në Shkodër.
Vizitorët që frekuentojnë këtë hapësirë kanë mundësinë të njihen nga afër me jetën e bletëve, procesin e prodhimit të mjaltit dhe përdorimin e produkteve të kosheres, si mjalti, propolisi, poleni dhe dylli, të cilat prej vitesh përdoren edhe në praktika të ndryshme të mirëqenies.
Apiterapia, e integruar në këtë aktivitet, synon t’i japë bletarisë një dimension të ri, përtej prodhimit tradicional, duke krijuar një ofertë që lidhet me turizmin natyror dhe përvojat relaksuese.
Sipas ministrit Salla, interesi i vizitorëve, si vendas ashtu edhe të huaj, ka qenë pozitiv që në muajt e parë të funksionimit të këtij modeli.
Kjo sipërmarrje paraqitet si një shembull i mënyrës se si aktivitetet tradicionale mund të zhvillohen përmes ideve inovative, duke krijuar vlerë të shtuar për produktet vendase dhe mundësi të reja ekonomike për të rinjtë në zonat rurale.

