Gjatë ditës së sotme në të gjithë vendin janë shënuar 21 vatra zjarri, nga të cilat 11 mbeten ende aktive. Ministria e Mbrojtjes njofton se aktualisht 5 vatra po monitorohen nga afër, ndërsa 5 të tjera janë neutralizuar.
Për përballimin e emergjencës janë përfshirë gjithsej 587 forca operacionale lokale dhe 52 automjete zjarrfikëse. Në operacion janë angazhuar gjithashtu 550 pjesëtarë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga 7 automjete zjarrfikëse. Ndërhyrjet në terren janë ndihmuar edhe nga ajri me 4 helikopterë dhe një avion Air Tractor.
Situata në qarkun e Fierit mbetet problematike, pasi zjarret në Drizë/Radostinë, Vadhizë, Peshtan dhe Levan vazhdojnë të përparojnë. Në këto vatra janë vendosur 13 automjete zjarrfikëse dhe 4 autobote, ndërsa në operacion marrin pjesë 55 efektivë, 90 forca operacionale dhe 104 ushtarakë. Përveç kësaj, operacioni në Fier po mbështetet me një helikopter dhe një avion Air Tractor për ndërhyrje nga ajri.
Edhe në Bardhaj të Shkodrës zjarri mbetet aktiv. Për shuarjen e tij janë angazhuar 5 automjete zjarrfikëse, struktura vendore, si dhe një automjet zjarrfikës dhe një helikopter të Forcave të Armatosura. Në zonat Lundre dhe Madhesh të Matit, operacioni po forcohet me angazhimin e 30 efektivëve të Forcave të Armatosura.
Zjarri në lagjen “1 Maji” të Himarës është shuar pas një operacioni të gjerë, ku morën pjesë 26 automjete zjarrfikëse, forca vendore, policore dhe vullnetare, 183 efektivë, 2 zjarrfikëse, 2 ambulanca, si dhe 2 helikopterë të Forcave të Armatosura.
Si pasojë e zjarreve janë dëmtuar 6 banesa, nga të cilat 3 kanë qenë të banuara, ndërsa 36 persona janë evakuuar për siguri.
Një vatër tjetër aktive ndodhet në Dajt, ku janë angazhuar 30 forca vendore dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura. Zjarri në Qinami po mbahet nën kontroll dhe nuk konsiderohet aktualisht kërcënim për zonat e banuara. Vatra të tjera aktive raportohen në Vajkal, Mallunxë–Lis, Gallatë, Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, Krastë të Elbasanit, Iballë dhe Krepse, ndërsa situata në disa zona të tjera po vëzhgohet vazhdimisht.
Ndërkohë, zjarret në Mavrovë të Selenicës dhe në malin “Partizan” në Berat janë fikur plotësisht. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile monitoron situatën në të gjithë territorin në bashkëpunim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e mbrojtjes civile.
Forcat operacionale qëndrojnë në terren në gatishmëri për çdo ndërhyrje të nevojshme, me qëllim parësor mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë së tyre.

