Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, ka komentuar përplasjen midis biznesmenëve në Vlorë për një çështje prone, duke e konsideruar incidentin në Radhimë si “maja e ajsbergut” të problematikave të shumta që lidhen me pronësinë në Shqipëri.
Softa thekson se që nga fillimi i periudhës së demokracisë e deri sot, konfliktet për pronën kanë rezultuar në vrasjen e rreth 10.000 deri në 11.000 qytetarëve. Sipas tij, këto shifra ilustrojnë përmasat serioze të sfidave që ekzistojnë në menaxhimin e pronës.
“Radhima ishte maja e ajsbergut të problematikave që ka për pronat. Në qoftë se do kërkojmë statistika, nuk e di, mundohesh të kërkosh, po të paktën aq sa gjeta janë rreth 10.000-11.000 të vrarë vetëm për konfliktet me pronën, nga fillimi i demokracisë dhe deri në ditët e sotme”, tha ai.
Sipas Softës, pasojat sociale të këtyre përplasjeve kanë qenë të rënda, duke kontribuar në shkatërrimin e familjeve dhe krijimin e konflikteve të ashpra ndërmjet fiseve.
“11.000 të vrarë në Shqipëri nga prona, problemet e pronës. Janë prishur familje të tëra për konflikte me pronën, janë prishur fise. Kemi konflikte të cilat kulmojnë midis dy bizneseve të mëdha në konflikt, prapë përsëri për pronën, dhe konflikte të tjera të cilat kanë ndodhur prapë në mënyrë indirekte kanë përsëri problemin e pronës”, tha Softa.
Ai shton se pavarësisht kalimit të viteve, çështja e pronës vazhdon të mbetet një sfidë thelbësore, e pazgjidhur ende as nga institucionet shtetërore e as nga vetë shoqëria shqiptare.
“Kështu që ky është një problem madhor që ne ende nuk e zgjidhëm si shtet, nuk e zgjidhëm si shoqëri dhe vazhdojmë ta mbartim këtë gjë, duke u trashur në momente të caktuara, pikërisht kur interesat ekonomike për pronën vijnë në këto nivele, siç është kjo sipërfaqe që dëgjova, një sipërfaqe e konsiderueshme ku përfshihen interesa të tjera të vogla ekonomike të të gjithë atyre”, tha ai.
Softa vëren gjithashtu se mosmarrëveshjet për pronësinë janë të përhapura në të gjithë vendin, ndërsa rritja e interesave ekonomike dhe politike ndër vite ka ndikuar në shtimin e konflikteve.
“Nuk besoj se ka pasur 1 cm tokë në këtë vend, përveç tokës shtetërore, që të mos ketë pasur një pronar. Dhe për tokën shtetërore pastaj kanë nisur interesat e grupeve dhe të interesave të politikave ndër vite, ku këto kanë prodhuar pikërisht këtë që themi sot: konflikt”, tha Softa.
Për ekspertin e sigurisë, gjetja e një zgjidhjeje për çështjet e pronësisë është thelbësore edhe për sigurinë kombëtare të vendit.
“Prandaj është shumë e rëndësishme kur themi elementet e sigurisë kombëtare, baza është prona, sepse pa zgjidhur problemin e pronës dhe të pronësisë nuk mund të zgjidhësh dot probleme të cilat janë sot dhe agravojnë pikërisht për shkak të këtyre konflikteve që vijnë nga ekonomia”, tha ai.

