Eksperti i sigurisë, Faik Basha, ka komentuar dorëheqjen e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, duke u ndalur veçanërisht te reagimi i kryeministrit Edi Rama pas largimit të saj nga kabineti.
Basha tha se nuk mban mend një rast tjetër gjatë mandateve të Ramës kur kryeministri të ketë bërë një reagim për një ministër që largohet nga detyra. Sipas tij, ky është një element që tregon se rasti i Evis Salës është i veçantë.
“Po ta shikoni dhe po ta lexoni të gjithë dinamikën e sotme, unë nuk mbaj mend ndonjëherë Rama të ketë bërë një kundërpërgjigje për një ministër që largohet nga detyra dhe ky është një element që tregon që këtu nuk ka asgjë që mund të thuhet. Nuk ka asgjë që ministrja mund të jetë larguar, mund të ketë dashur të largohet apo mund të ketë pasur vështirësi në një bashkëpunim me kryeministrin. Unë nuk di një rast të dytë. Janë katër mandate, kush e di sa ministra janë ndryshuar, kanë ikur, janë larguar”, u shpreh Basha.
Basha vlerësoi se largimi nga detyra mund t’i jetë për ti dhënë asaj mundësinë që t’i përkushtohet më shumë profesionit të saj dhe kërkimeve shkencore. Eksperti i sigurisë vlerësoi gjithashtu kontributin profesional të Evis Salës, duke e cilësuar atë si një figurë të rëndësishme jo vetëm për shëndetësinë shqiptare, por edhe në nivel ndërkombëtar, veçanërisht në fushën e kërkimeve onkologjike.
“Zonja Sala ishte, ashtu siç ju e thatë edhe pa dashur të biem në përsëritje, një element shumë i rëndësishëm jo vetëm për shëndetësinë shqiptare, por edhe për atë ndërkombëtare, me arritje, me kërkime dhe me të gjitha kontributet, jo vetëm çështje civile, por kontribute të jashtëzakonshme”, tha Basha.
Duke folur për raportin që profesionistë të ndryshëm kanë me detyrën dhe shërbimin ndaj vendit, Basha solli si shembull ushtarakët, duke theksuar se për ta shërbimi ndaj atdheut shihet si detyrë dhe mision.
“Ne ushtarakët, për shembull, pjesa më e madhe nuk e braktisim vendin sikur ne të mbesim të vetmit dhe sikur kurrë të mos paguhemi dhe kurrë të mos marrim benefite, por ne e shohim si detyrë, si misionin tonë për t’i shërbyer atdheut me çdo kusht dhe nuk llogarisim përfitime që mund të marrim nga kjo detyrë”, u shpreh ai.
Sipas Bashës, në rastin e profesionistëve të mjekësisë, kontributi mund të jetë edhe më i gjerë, duke i shërbyer jo vetëm vendit, por edhe njerëzimit përmes kërkimit shkencor.
“Nëse kjo zonjë është e aftë në këtë drejtim dhe mund të bëjë një shërbim më të gjerë se vendit tonë, por mund të japë një gjë për të gjithë njerëzimin, atëherë pse jo, kjo të jetë në dispozicion dhe ta kryejë misionin e saj”, përfundoi Faik Basha.

