Aktivisti dhe ish-ushtari i UÇK-së, si dhe një nga mbështetësit më të mëdhenj të protestave në Tiranë Meçan Zotaj, në një intervistë në News 24, tha se shqiptarët vazhdojnë të jetojnë në diktaturë.
Zotaj tregoi edhe raste personale, ku u shpreh se njerëz të shtetit i kanë shkuar në banesë në Fier dhe se atje ia kanë marrë vëllanë në vendin e tij. Aktivisti deklaron se ka pasur kërcënime e presione ndaj familjes së tij.
“Qeveria ka dërguar policin e zonës në shtëpinë time në Fier. Nuk më ka bërë ftesë si një shtet normal, që të bëjë ftesën dhe të paraqitem, por kanë shkuar më shumë si formë presioni e mafioze. Ma kanë mbajtur peng vëllain. Nuk ka pasur asgjë ai, por e kanë marrë në vendin tim. Kjo ka ndodhur para 3-4 vitesh. Këto janë lëvizje, pas disa veprimeve që kam bërë në jug, se na zemërohej Greqia, nëse i dilnim zot kombit tonë. Ka kërcënime të herëpashershme përmes telefonave dhe rrjeteve sociale. Këta njerëz janë pa shpirt dhe pa atdhe. Ata nuk e ndjejnë Shqipërinë nuk përbëjnë asnjë shqetësim përballë meje”, tha Meçaj.
Meçan Zotaj thekson se kryeministri është diktator dhe se shqiptarët duhet të ngrihen, që të shkëputen nga sistemi aktual mafioz.
“Shqipëria ka një kryeministër diktator. Kjo nuk është më një protestë, por është një lëvizje. Pjesë e kësaj proteste janë shqiptarët që e duan Shqipërinë. Të shkëputemi njëherë e mirë nga sistemi i mafies në kurriz të popullit”, u shpreh Zotaj.
Më tej, nënvizoi se edhe njerëzit pranë Ramës bëjnë vetëm servilin e nuk e kanë guximin që të thonë një fjalë për realitetin.
“Shtatori do të jetë më i frytshëm në shesh. Ne kemi kërkuar që të japë dorëheqjen kryeministri dhe gjithmonë ka pasur një gjuhë arrogante. Populli nuk është delja, që ëndërronte në fantazitë e tij. Taulant Midhja nuk ka pasur guxim të flasë me Ramën, por se dhe ata kanë lincuar popullin. Është një tmerr kjo situatë. Ne detyrohemi që të ndryshojmë rrugën e protestës. Nuk duhet të udhëhiqet populli nga kupola e krimit. Nëse ata nuk kuptojnë me hapat që ne kemi, do nisim me hapin tjetër. Duhet që Rama të japë dorëheqjen më së pari. Rama nuk ka ndjenjë kombëtare. Qeveria Rama duhet të japë dorëheqjen”, deklaroi Zotaj.

