Forbes: Shqipëria ndër 24 shtetet më të mira për të dalë në pension në 2026

Publikuar me datë:

Rritja e kostove të jetesës, çështjet shëndetësore, ndryshimet në klimë dhe zhvillimet politike po bëjnë gjithnjë e më shumë amerikanë të konsiderojnë pensionimin jashtë kufijve të vendit të tyre.

Revista Forbes ka hartuar një listë me 24 vende dhe 96 destinacione të shpërndara në pesë kontinente, ku janë marrë në shqyrtim faktorë si çmimet e jetesës, cilësia e shëndetësisë, niveli i taksave, siguria, rreziku klimatik dhe mundësitë për të siguruar leje qëndrimi.

Shqipëria është mes destinacioneve që po ngjallin interes të veçantë. Amerikanët Dorsie dhe Dan Schmitz, pas 37 vitesh martesë, vendosën të lënë Michiganin dhe të vendosen në Vlorë, ku paguajnë rreth 1.100 dollarë në muaj për një apartament me tre dhoma gjumi afër Lungomares.

Para vendimit final, çifti kishte eksploruar edhe opsione të tjera si Portugalia, Greqia, Franca dhe Tajlanda. Megjithatë, Shqipëria iu ofroi atyre një kombinim të favorshëm: shpenzime të ulëta për jetesën, klimë mesdhetare dhe një stil jetë që i përshtatej preferencave të tyre. Sipas Forbes, shpenzimet mujore në Shqipëri janë rreth gjysma e atyre në SHBA.

Për më tepër, Shqipëria njihet edhe për lehtësitë procedurale sa i përket qëndrimit të të huajve, sipas vlerësimit të Forbes.

Pensionistët amerikanë mund të qëndrojnë në Shqipëri si turistë deri në një vit, e më pas të aplikojnë për lejeqëndrim afatgjatë. Tirana, Durrësi, Saranda dhe Vlora janë destinacionet më të preferuara.

Forbes thekson për Shqipërinë:

“Vendi i fundit komunist që ra në Evropën Lindore, Shqipëria është tani anëtare e NATO-s. Ajo shtrihet në anën lindore të Detit Adriatik përballë Italisë. E vetëshpallura Toka e Shqiponjave ka një klimë mesdhetare, plazhe dhe male piktoreske, dhe një kosto jetese sa gjysma e mesatares amerikane. Krimi është i ulët dhe qeveria është mjaft e qëndrueshme (megjithëse një plan që përfshin dhëndrin e Trumpit, Jared Kushner, për të ndërtuar projekte të mëdha luksoze përgjatë bregdetit Adriatik ka shkaktuar protesta në rritje). Kujdesi shëndetësor është i lirë sipas standardeve amerikane, i përshtatshëm dhe po përmirësohet, por disa pacientë ende preferojnë të përdorin specialistë në Itali ose Londër. Sigurimi shëndetësor privat është i domosdoshëm. Anglishtja flitet, veçanërisht nga shqiptarët e rinj, por jo kudo, dhe shqipja, e cila ka 36 shkronja, mund të jetë e vështirë për t’u mësuar. Nuk ka traktat tatimor me SHBA-në që ndalon taksimin e dyfishtë, por normat e taksave të Shqipërisë janë të ulëta dhe kredia tatimore e huaj e SHBA-së ndihmon shumë. Një pensionist amerikan mund të qëndrojë në vend si “turist” për një vit të plotë, shumë kohë për të punuar për të fituar leje më të gjata. Vizat njëvjeçare që lejojnë nomadët dixhitalë të punojnë (të quajtura “Leje Unike”), një rrugë tjetër për një qëndrim të pacaktuar, janë në dispozicion dhe mund të rinovohen pesë herë. Hapi tjetër është një Vizë Qëndrimi Afatgjatë D, që çon në një vizë pensioni. Për një çift, kjo kërkon një paraqitje prej rreth 20,000 dollarësh në të ardhura vjetore pensioni nga jashtë vendit. Nga ana tjetër, fluturimet për në SHBA kërkojnë një ndalesë ose ndërrim diku. Përmbytjet nga stuhitë mund të jenë problem. Vendet e njohura përfshijnë kryeqytetin Tirana dhe qytetet bregdetare të Durrësit, Sarandës dhe Vlorës.”

Lista e vendeve të rekomanduara përfshin gjithashtu Portugali, Greqi, Itali, Spanjë, Francë, Maltë, Mal të Zi, Slloveni, Kanada, Meksikë, Panama, Kosta Rikë, Kolumbi, Argjentinë, Uruguai, Tajlandë, Malajzi, Vietnam, Qipro, Austri, Irlandë, Mauritius dhe Belize.

Shumë prej këtyre shteteve ofrojnë kosto jetese ndjeshëm më të ulëta se sa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tajlanda, Vietnami dhe Malajzia janë shumë tërheqëse për pensionistët që kërkojnë një jetë më ekonomike, ndërsa Portugalia, Italia, Greqia dhe Spanja ofrojnë klimë mesdhetare, traditë evropiane dhe sistem të avancuar shëndetësor.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në fund të vitit 2024, rreth 712 mijë shtetas amerikanë përfitonin Sigurime Shoqërore ndërsa jetonin jashtë SHBA, një rritje prej 20% krahasuar me 13 vite më parë.

Forbes gjithashtu thekson domosdoshmërinë e një planifikimi të detajuar për ata që mendojnë të pensionohen jashtë vendit. Është e rëndësishme të qartësohen çështjet që lidhen me taksat, sigurimin shëndetësor, gjuhën, largësinë nga të afërmit, sigurinë dhe procedurat për lejet e qëndrimit.

Për shkak të rrezikut të lartë nga katastrofat natyrore dhe ndryshimet klimatike, Filipinet dhe Indonezia nuk janë përfshirë këtë vit në listë. Ndërkohë, për Spanjën dhe Francën janë konsideruar gjithashtu rreziqet në rritje nga zjarret dhe temperaturat ekstreme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related