Rruga drejt Thethit nis për shumë vizitorë me një ndalesë në Qafën e Thorës, një prej pikave më të bukura panoramike të Alpeve Shqiptare. Ballkoni panoramik është kthyer në një pikë të preferuar për turistët, të cilët ndalen për të shijuar peizazhin dhe për të fotografuar pamjen që shtrihet përpara tyre.
Malet, lugina dhe rruga gjarpëruese që përshkon këtë zonë krijojnë një panoramë të veçantë, duke i bërë vizitorët të marrin disa minuta pushim përpara se të vijojnë udhëtimin drejt Thethit.
Për shumë prej turistëve të huaj, kjo është edhe një nga përballjet e para me natyrën alpine të Shqipërisë.
“Jam nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por jetoj në Argjentinë. Është hera e parë që vij këtu. Më pëlqen shumë natyra dhe ajri është shumë i pastër”, tregon një turiste.
Një tjetër vizitor amerikan shprehet i mahnitur nga ajo që ka parë: “Vij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është hera e parë që jam këtu. Është shumë bukur, një mrekulli. Kam ardhur për të vizituar Alpet dhe do të përpiqem të shoh sa më shumë vende. Do të qëndroj dy ditë bashkë me të dashurën time”.
Edhe turistët gjermanë e kanë zgjedhur këtë zonë për të eksploruar natyrën shqiptare. “Vij nga Gjermania dhe është hera e parë në Shqipëri. Kam dëgjuar shumë gjëra të mira për vendin nga miqtë e mi. Kam ardhur për hiking, me rekomandimin e tyre, dhe do të qëndroj tre ditë”, thotë një turist.
Ndërkohë, një vizitor nga Anglia tregon se udhëtimi i tij në Shqipëri është pjesë e një turi më të gjerë në Ballkan: “Është hera e parë që vij në Shqipëri. Kam ardhur për tre ditë bashkë me një shok dhe më pas do të udhëtojmë drejt Bosnjës. Këtu kam plan të vizitoj Syrin e Kaltër dhe të bëj edhe shtegun e Valbonës”.
Me peizazhin spektakolar dhe pamjen që ofron mbi Alpet, Qafa e Thorës mbetet një prej ndalesave më të preferuara të turistëve që marrin rrugën drejt Thethit, duke u kthyer për shumë prej tyre në një nga kujtimet më të bukura të udhëtimit në Shqipëri.

