30 gushti/ Spahia: Viktimat presin, xhelatët rikthehen “të rilindur”

Publikuar me datë:

Në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, deputeti Bardh Spahia akuzon qeverinë Rama se ka dështuar të përballet me të kaluarën komuniste. Ai thekson se mbi 10 mijë dosje dëmshpërblimi mbeten ende në proces ku edhe akuzon rikthimin e figurave e simboleve të komunizmit në narrativën publike.

Viktimat kanë nevojë për drejtësi, dëmshpërblim dhe kujtesë, jo propagandë”, shprehet Spahia në rrjetin e tij social facebook.

Reagimi i plotë:

30 Gushti – Viktimat presin, xhelatët rikthehen “të rilindur”!

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, kujtojmë mijëra shqiptarë që u pushkatuan, u burgosën, u internuan dhe u zhdukën nga diktatura komuniste. Por 35 vite pas rënies së regjimit, Shqipëria ende nuk e ka mbyllur llogarinë me të kaluarën.

Partia Demokratike në qeverisjen e parë ndërtoi bazën ligjore dhe institucionale të rehabilitimit të viktimave, ndërsa në vitet 2005–2013 dëmshpërblimi mori një tjetër përmasë. Në vitin 2009 fondi i planifikuar arriti në rreth 3.17 miliardë lekë. Sot, pas 13 vitesh Rilindje, fondi është vetëm 1.5 miliardë lekë, ndërsa ende mbi 10 mijë dosje janë në proces. Pra, viktimat vazhdojnë të presin.

Por problemi i Rilindjes nuk është vetëm financiar. Për 13 vite, Edi Rama dhe Partia Socialiste nuk kanë bërë atë që do të ishte detyrimi moral dhe historik i një force politike që trashëgon drejtpërdrejt ADN-në e regjimit komunist: të kërkoj vërtetë falje të qartë dhe publike ndaj viktimave dhe familjeve të tyre.

Në vend të një përballjeje të plotë me të shkuarën, kemi parë një përpjekje për ta kthyer komunizmin në dekor, në turizëm e madje duke tentuar të ngjallin edhe nostalgji: nga Bunk’Art dhe Shtëpia e Gjetheve, te Festa e Pezës dhe deri te ndërhyrjet për rijetëzimin e shtëpisë së diktatorit. Kujtesa ndaj komunizmit shërbehet si një produkt kulturor-turistik, ndërsa Shqipërisë ende i mungon një Muze Kombëtar i mirëfilltë i Viktimave të Komunizmit, ku në qendër të jenë viktimat, dhimbja dhe krimet e regjimit.

Dhe ndërsa viktimat presin, xhelatët dhe pasardhësit politikë të tyre gjejnë ende hapësirë në narrativën publike. Në vitin 2025, një material i Institutit Parlamentar e përfshiu Enver Hoxhën si “Hero të Popullit” dhe “Hero të Punës Socialiste”. Ndjesat pas skandalit nuk e ndryshojnë thelbin: një diktator nuk mund të trajtohet si figurë për t’u nderuar në institucionet e shtetit.

Kjo është hipokrizia e Rilindjes: ceremoni për viktimat, por relativizim dhe shpesh edhe justifikim i krimit; propagandë për kujtesën, por mungesë drejtësie; dëmshpërblime që zvarriten, ndërsa historia e diktaturës kthehet në spektakël nostalgjik.

Viktimat nuk kanë nevojë për propagandë. Kanë nevojë për drejtësi, dëmshpërblim, varret e të afërmve të tyre dhe një kujtesë kombëtare që të mos lejojë kurrë rehabilitimin e diktaturës e të xhelatëve.

Pas 35 vitesh demokraci, mesazhi duhet të jetë i prerë: nuk mund të nderohen viktimat në mëngjes dhe të rehabilitohen xhelatët e tyre në darkë. Shqipëria ka nevojë për një përballje të ndershme me komunizmin dhe pasojat e tij tragjike për Shqipërinë, pasoja që për fat të keq shqiptarët vazhdojnë ti vuajnë edhe sot.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related