Gjithçka është përgatitur për ndeshjen e parë në shtëpi të sezonit. Të dielën në mbrëmje, Teuta do të përballet me Tiranën, nga ora 21:00, në stadiumin “Niko Dovana”.
Kjo përballje, një klasik i viteve të fundit, ka sjellë rivalitet të fortë dhe emocione të shumta, jo vetëm në fushë, por edhe në tribunat e mbushura me tifozë.
Për takimin e kësaj jave, klubi ka parashikuar një organizim të veçantë, duke u bërë thirrje tifozëve të mbushin shkallët e stadiumit për të përjetuar një mbrëmje të veçantë futbolli shqiptar.
Sipas njoftimeve, premtohet një mbrëmje spektakolare, me shumë surpriza, që tifozët të mos e humbasin këtë nisje të re të kampionatit.
Trajneri Edlir Tetova synon të shënojë debutimin e tij me një fitore në krye të ekipit të tij të zemrës. Për këtë qëllim, ai ka në dispozicion të plotë të gjithë lojtarët, ndërsa në seancat e fundit stërvitore është përqendruar tek qarkullimi i topit dhe finalizimi para portës.

