Banesat historike në Shkodër në fokus, Gonxhja: Shteti do të ndërhyjë për objektet që rrezikojnë të zhduken

Publikuar me datë:

Banesat e vjetra dhe objektet e shpallura monument kulture që ndodhen në rrezik degradimi pritet të përfshihen në një program të ri ndërhyrjeje nga shteti. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka bërë të ditur se nisma, e cila nis në Gjirokastër, do të shtrihet edhe në qytete të tjera me trashëgimi historike, mes tyre edhe Shkodra.

Sipas ministrit, synimi është të shpëtohen banesat që rrezikojnë të humbasin për shkak të mungesës së mirëmbajtjes, braktisjes, problemeve me pronësinë apo pamundësisë financiare të pronarëve për të kryer restaurimet.

Në kuadër të kësaj nisme, shteti pritet të marrë përsipër punimet e nevojshme dhe të ofrojë mbështetje financiare, ndërsa edhe pronarët do të kontribuojnë në një pjesë të kostove.

Programi do të nisë në Gjirokastër, ku nga 390 banesa të klasifikuara si monumente kulture, rreth 90 janë vlerësuar në gjendje të rrezikuar.

“ Nuk ka më: ra, se u la në mëshirë të fatit!”, është shprehur Gonxhja, duke paralajmëruar një rol më aktiv të institucioneve në mbrojtjen e trashëgimisë së ndërtuar.

Ndërkohë, institucionet kanë nisur procedurat teknike dhe administrative, ndërsa punimet e para pritet të nisin në fillim të vitit të ardhshëm. Restaurimet do të realizohen sipas standardeve dhe manualeve zyrtare, ndërsa projektet do t’i nënshtrohen miratimit të KKTKM-së.

Mbikëqyrja e ndërhyrjeve do të kryhet nga DRTK-të rajonale dhe IKTK-ja, në bashkëpunim me pronarët dhe subjektet që kanë interes në këto objekte.

Programi synon të financohet çdo vit nga buxheti i shtetit dhe të shërbejë jo vetëm për ruajtjen e trashëgimisë arkitekturore e kulturore, por edhe për rikthimin e këtyre banesave në funksion të zhvillimit turistik dhe ekonomik.

Paralajmërimi është veçanërisht i rëndësishëm për Shkodrën, ku një numër i madh banesash historike dhe monumentesh kulture vijojnë të përballen me amortizimin, braktisjen dhe mungesën e restaurimeve prej vitesh.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related