VELIPOJË – Një veprim i filmuar në bregdetin e Velipojës dhe i publikuar në rrjetet sociale ka përfunduar me procedim penal për tre persona.
Në pamjet e bëra publike, disa persona shihen teksa vendosin një kalë (pon) në një mjet lundrues, duke shkaktuar reagime të shumta në rrjet.
Pas publikimit të videos, Policia e Velipojës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, nisi verifikimet për të zbardhur rrethanat e rastit dhe për të identifikuar personat e përfshirë.
Në përfundim të veprimeve, autoritetet kanë identifikuar tre shtetasit F. Sh., 36 vjeç, F. Xh., 61 vjeç dhe L. B., 40 vjeç. Materialet procedurale janë referuar në Prokurori dhe ndaj tyre ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshës”.
Ndërkohë, masë administrative është marrë edhe ndaj pronarit të mjetit lundrues. F. Sh. është ndëshkuar me 500 mijë lekë të rinj gjobë nga Policia Kufitare, në bazë të nenit 24, pika 1, shkronja “c”, të ligjit nr. 43/2020.
Rasti ka tërhequr vëmendje në rrjetet sociale, ndërsa Policia u bën apel qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të shkeljes së ligjit apo keqtrajtimit të kafshëve në numrin pa pagesë 112.

