Teatri “Migjeni” u mbush sërish me tingujt e jazz-it, në kuadër të edicionit të 17-të të “Shkodra Jazz Festival”, që vazhdon të jetë një nga ngjarjet kryesore kulturore të Shkodrës.
Kësaj here, në skenën e festivalit u ngjit kuarteti i Kejdi Barbullushit, i cili përmes improvizimit, kombinimit të instrumenteve dhe ritmit, solli një atmosferë të veçantë për publikun vendas. Koncerti ishte pjesë e programit të festivalit, që është zgjeruar edhe në ambiente të tjera të qytetit, duke e sjellë muzikën më pranë komunitetit.
Drejtori artistik i festivalit, Florian Jakaj, thekson rolin e jazz-it si jo vetëm një zhanër muzikor, por edhe si një hapësirë ku artistët kanë mundësi të shprehen lirisht, të eksperimentojnë dhe të lidhin kontakt me publikun përmes interpretimit të tyre.
Gjatë këtij edicioni, “Shkodra Jazz Festival” ka prezantuar artistë dhe muzikantë nga vende të ndryshme, duke pasuruar jetën kulturore të qytetit dhe duke hapur rrugë për bashkëpunime të reja në art. Në kuartetin që performoi ishte edhe perkusionisti Matheus Jardim, i cili ndau përshtypjet e tij për eksperiencën në Shqipëri dhe punën me Kejdi Barbullushin.
“Ndihem mjaft mirë që jam pjesë e këtij kuarteti dhe që bashkëpunoj me një artist të talentuar si Kejdi. Në Shqipëri po kaloj mirë dhe kam njohur njerëz fantastikë, është shprehur Matheus Jardim, Perkusionist.
“Shkodra Jazz Festival” do të vijojë gjatë javës me koncerte të tjera, duke sjellë për publikun shkodran interpretime të reja, artistë të rinj dhe tingujt e veçantë të jazz-it.

