Maqedoni e Veriut/ 6 viktima nga virusi i Nilit Perëndimor

Publikuar me datë:

Një 72-vjeçar nga Shkupi ka ndërruar jetë në një spital të kryeqytetit, pasi u pre nga virusi i Nilit Perëndimor. Kjo është viktima e gjashtë që humb jetën nga kjo sëmundje në Maqedoninë e Veriut. Sipas autoriteteve, i ndjeri kishte qenë i shtruar në spital për dy javët e fundit dhe kishte një gjendje të rënduar shëndetësore.

Autoritetet shëndetësore në vend po shprehin shqetësim për përhapjen në rritje të infeksionit. Deri më tani janë konfirmuar 51 persona të infektuar, pjesa më e madhe në rajonin e Shkupit.

Pjesa më e madhe e të prekurve janë të moshuar mbi 60 vjeç, ndërsa disa kanë zhvilluar komplikacione të rënda neurologjike, si encefaliti apo meningjiti. Numri i infektimeve ka qenë në rritje të menjëhershme: në fund të korrikut ishin raportuar vetëm 8 raste, ndërsa tani shifra ka arritur në 51. Ky shpërthim konsiderohet si më i rëndi që nga viti 2011, kur virusi i Nilit Perëndimor u identifikua për herë të parë në Maqedoninë e Veriut.

Për shkak të përhapjes masive të virusit, disa komuna të Shkupit janë shpallur në gjendje epidemie. Masat e marra përfshijnë ashpërsimin e kontrolleve ndaj mushkonjave dhe fuqizimin e mbikqyrjes epidemiologjike.

Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet kryesisht nëpërmjet pickimit të mushkonjave të infektuara dhe përgjithësisht shkakton simptoma të lehta ose ndonjëherë asnjë shenjë klinike. Sidoqoftë, për të moshuarit dhe individët me probleme të tjera shëndetësore, infeksioni mund të marrë forma të rënda të sëmundjes.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related