Artisti disident kinez Gao Zhen, i njohur për veprat e tij satirike që portretizojnë ish-udhëheqësin kinez Mao Ce Dun, është dënuar me tre vjet burg nën akuzën e “shpifjes ndaj heronjve kombëtarë dhe martirëve”, sipas deklaratave të bashkëshortes së tij dhe të një organizate për të drejtat e njeriut.
Gao, 70 vjeç, me banim në Nju Jork, u ndalua nga autoritetet në gusht 2024 gjatë një udhëtimi në Kinë. Seanca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura në fillim të këtij viti.
Bashkëshortja e artistit, Zhao Jaliang, u shpreh për Reuters se familja është thellësisht e indinjuar nga vendimi dhe deklaroi se Gao ka ndërmend të apelojë dënimin.
Organizata “Mbrojtësit e të Drejtave të Njeriut Kinez” kërkoi që ai të lirohet menjëherë dhe pa kushte, duke theksuar se dënimi i tij është bazuar në vepra të realizuara vite para hyrjes në fuqi të ligjit për të cilin është ndjekur penalisht.
Së bashku me vëllanë e tij, Gao Qiang, Gao njihet për skulpturat kritike rreth Revolucionit Kulturor – një periudhë e trazuar politike dhe shoqërore në Kinë midis viteve 1966 dhe 1976.
Ndër më të njohurat prej këtyre veprave janë “Zonjusha Mao”, e cila paraqet Mao Ce Dunin me tipare të shtrembëruara groteske, si edhe “Faji i Maos”, një skulpturë bronzi që e shfaq ish-udhëheqësin të përkulur në shenjë pendese.
Gao u gjykua në bazë të Ligjit të Kinës për Mbrojtjen e Heronjve dhe Martirëve, i cili u miratua në vitin 2018 dhe u fuqizua më tej në vitin 2021. Prokuroria ngriti akuzat mbi krijimet artistike të Gao-s të realizuara në periudhën 2005–2009.
Sipas deklaratave të organizatës për të drejtat e njeriut, autoritetet kineze nuk lejuan pjesëmarrjen e disa diplomatëve perëndimorë në procesin gjyqësor. Po ashtu, bashkëshortja e Gao-s dhe djali i tyre, që zotëron shtetësi amerikane, nuk janë lejuar të largohen nga Kina që prej arrestimit të artistit, konfirmoi ajo.

