Policia e Tiranës ka arrestuar një shtetas indian 31 vjeç, Manpreet Nanak Chand Manpreet, pasi dyshohet se ka tentuar të kryejë një vjedhje në një banesë në rrugën “Veli Vraniqi”, në zonën e Kombinatit.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të 23 gushtit, rreth orës 01:10, kur Manpreet u kap nga efektivët teksa ndodhej mbi çatinë e shtëpisë. Ai dyshohet se po përpiqej të futej brenda nëpërmjet një dritareje të vogël.
Sipas policisë, pronari i banesës kishte dëgjuar zhurma të dyshimta dhe më pas njoftoi forcat e rendit, të cilat ndërhynë menjëherë në vendngjarje.
Ky nuk është incidenti i vetëm i përfshirjes së 31-vjeçarit në ngjarje problematike. Vetëm dy ditë më parë, ai ishte shoqëruar në polici pas një konflikti me një qytetar, gjatë të cilit dyshohet se ka dëmtuar xhamin e një automjeti.
Autoritetet kanë ngritur ndaj tij akuzën për “Vjedhje” e mbetur në tentativë. Në bazë të kërkesës së prokurorit Petrit Vukaj, Gjykata e Tiranës ka caktuar ndaj Manpreet masën “Arrest në burg”, duke marrë parasysh edhe mundësinë e largimit të tij nga territori i Shqipërisë.

