Katër të dyshuar janë vënë në pranga nga autoritetet në Afrikën e Jugut, në kuadër të hetimeve për vrasjen e Zolani Tete, ish-kampion i botës në boks. Tete u qëllua për vdekje të premten e kaluar jashtë shtëpisë së tij në qytetin Mdantsane, në provincën e Kepit Lindor. Policia ka konfirmuar arrestimet dhe njoftoi se personat e ndaluar ndodhen aktualisht në paraburgim.
I pari që ra në pranga ishte një 22-vjeçar, i arrestuar të shtunën. Më pas, tre persona të tjerë — dy të moshës 27 vjeç dhe një 28-vjeçar — u arrestuan të dielën. Sipas autoriteteve, të katërt do të dalin para Gjykatës së Magjistratëve në Mdantsane për t’u përballur me akuzat ndaj tyre.
Një tjetër i ndaluar, 30 vjeç, u arrestua ditën e shtunë, por më pas u lirua dhe trajtohet si dëshmitar potencial. Deri më tani, policia nuk ka zbuluar ende motivet që fshihen pas vrasjes së boksierit.
Zolani Tete ndërtoi një karrierë të gjatë si boksier profesionist nga viti 2006 deri në vitin 2022. Ai u shpall kampion bote fillimisht në kategorinë supermizë, e më pas fitoi titullin edhe në peshën gjel.
Në vitin 2017, Tete hyri në librin e rekordeve “Guinness” pasi realizoi nokautin më të shpejtë të historisë në një ndeshje për titullin botëror.

