Egzon Bytyqi po merr trajtim në QKUK pasi dyshohet se ka vrarë bashkëshorten dhe ka tentuar të vetëvritet, duke pësuar lëndime të rënda.
Incidenti u shënua në orët e vona të së hënës, në fshatin Kërvasëri të komunës së Malishevës.
Zëdhënësja e QKUK-së, Mirlinda Qyqalla, deklaroi për “Zërin” se gjendja shëndetësore e Egzon Bytyqit është e pandryshuar dhe ai vazhdon të trajtohet nga stafi mjekësor në Qendrën Emergjente.
“Lidhur me rastin e raportuar më datë 24 gusht 2026 në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ju njoftojmë se gjendja shëndetësore e pacientit, 26-vjeçar, vazhdon të jetë e njëjtë. Pacienti është duke marrë trajtim mjekësor dhe vazhdon të jetë nën përkujdesjen e stafit shëndetësor në Qendrën Emergjente të QKUK-së”, ka thënë Qyqalla për Zeri.info.

