Transporti publik, i cili prej kohësh përballet me ankesa për cilësinë e shërbimit, vonesat dhe kushtet e mjeteve, rrezikon të përkeqësohet edhe më tej. Operatorët e transportit qytetas kanë ngritur sërish alarmin për vështirësitë financiare që po përballen, të shkaktuara kryesisht nga çmimi i lartë i naftës dhe rënia e numrit të pasagjerëve.
Në letrën e dytë të muajit gusht 2026, (Shkarko dokumentin) drejtuar Ministrisë së Financave, Ministrisë së Ekonomisë, Infrastrukturës dhe Energjisë, Pushtetit Vendor, si dhe Bashkisë së Tiranës, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas kërkon ndërhyrje të institucioneve për të shmangur përkeqësimin e situatës.
Operatorët argumentojnë se kostot e operimit janë rritur ndjeshëm për shkak të çmimit të karburantit, ndërsa kompensimi i dhënë për muajt mars, prill dhe maj nuk mjafton për të garantuar vazhdimësinë e shërbimit në muajin gusht.
Sipas tyre, karburanti është një prej shpenzimeve kryesore të transportit publik dhe niveli i lartë i konsumit të mjeteve bën që çdo rritje e çmimit të naftës të reflektohet menjëherë në kostot e operatorëve.
Problemi bëhet edhe më i madh pasi tarifat e transportit publik kanë mbetur të pandryshuara, ndërkohë që kompanitë duhet të vazhdojnë të ofrojnë shërbimin sipas linjave, frekuencave dhe kapaciteteve të përcaktuara.
Operatorët thonë se kompensimet e dhëna deri tani kanë ndihmuar në ruajtjen e ekuilibrit financiar, por theksojnë se shkaku që solli nevojën për këtë mbështetje nuk është zhdukur.
Çmimi i naftës vijon të qëndrojë në nivele të larta dhe, nëse kjo situatë vazhdon edhe gjatë muajve të ardhshëm pa një mekanizëm të ri kompensimi, transporti publik rrezikon të përballet me probleme serioze.
Shoqata paralajmëron konkretisht disa pasoja të mundshme:
vështirësi në garantimin e vijimësisë normale të shërbimit;
reduktim të numrit të autobusëve në qarkullim;
ulje të frekuencës së mjeteve dhe rritje të kohës së pritjes për qytetarët;
vështirësi në përmbushjen e detyrimeve financiare dhe operative;
shtyrje të investimeve dhe mirëmbajtjes së flotës;
përkeqësim të cilësisë dhe standardeve të shërbimit.
Pra, për qytetarët, një situatë që tashmë është larg të qenit optimale mund të bëhet edhe më e rëndë. Më pak autobusë në qarkullim dhe intervale më të gjata pritjeje do të nënkuptonin një tjetër goditje për përdoruesit e transportit publik, veçanërisht në linjat më të ngarkuara.
Përballë kësaj situate, Shoqata e Transportit Publik Qytetas kërkon që të vijojë skema e kompensimit të karburantit edhe për muajin shtator 2026 dhe për periudhën pasuese, për aq kohë sa çmimi i naftës dhe kushtet ekonomike mbeten në nivele të larta.
Operatorët kërkojnë gjithashtu që kompensimi financiar të vijojë për periudhën qershor-korrik-gusht 2026 dhe më tej, deri në normalizimin e çmimit të karburantit dhe kushteve ekonomike të aktivitetit.
Sipas tyre, kjo mbështetje është e nevojshme për të ruajtur kapacitetet aktuale të transportit, për të shmangur reduktimin e autobusëve dhe frekuencave dhe për të mos lejuar që kostot e larta të karburantit të ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimit.
Shoqata shprehet gjithashtu e gatshme t’u vërë në dispozicion institucioneve të dhënat ekonomike, financiare dhe operative që tregojnë ndikimin e çmimit aktual të karburantit në funksionimin e transportit publik.
Ky është reagimi i dytë brenda muajit. Edhe në letrën e 12 gushtit 2026, operatorët paralajmëruan se po e kanë gjithnjë e më të vështirë përballimin e kostove të naftës dhe kërkuan zgjatjen e periudhës së kompensimit.
Vendimi i mëparshëm i qeverisë parashikonte kompensim prej 50 lekësh për litër karburant për sasinë e konsumuar gjatë muajve mars, prill dhe maj 2026. Operatorët kërkojnë që kjo skemë të zgjatet edhe për katër muaj të tjerë.
Ndërkohë, çmimi i naftës prej javësh ka kaluar 210 lekë për litër, duke shtuar presionin mbi një sektor që tashmë po sinjalizon vështirësi serioze financiare.
Nëse nuk gjendet një zgjidhje, paralajmërimi i operatorëve është i qartë: transporti publik mund të ketë më pak autobusë, më shumë pritje dhe një shërbim edhe më të dobët për qytetarët.

