Situata e zjarreve në vend ka shënuar përmirësim deri në orën 17:00, sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes, me disa nga vatrat kryesore të izoluara ose të shuara plotësisht.
Gjatë ditës janë evidentuar 10 vatra zjarri në total. Nga këto, 4 vazhdojnë të jenë aktive, ndërsa 6 të tjera janë duke u monitoruar nga autoritetet.
Forcat në terren përfshijnë 332 efektivë operativë dhe 15 automjete zjarrfikëse. Ata kanë pasur mbështetjen e 150 ushtarakëve të Forcave të Armatosura, 3 automjetesh zjarrfikëse shtesë, 1 ekskavatori të rëndë, 3 helikopterëve dhe 2 avionëve të tipit Air Tractor.
- Gojan–Gjegjan, Pukë – Në këtë zonë është arritur një përmirësim i dukshëm. Vatrat në Gjegjan, Gojan të Vogël dhe Gojan të Madh janë vënë nën kontroll dhe vijon vëzhgimi i vijës së zjarrit për të parandaluar përhapjen ose riaktivizimin. Punonjës të MZSH nga Puka, Fushë-Arrëzi dhe Kamza, shërbimi pyjor, 60 punonjës lokalë, 45 vullnetarë si dhe 40 ushtarë të FA-së, kanë qenë në terren të pajisur me mjete zjarrfikëse, ekskavator dhe me mbështetjen e 2 helikopterëve të FA-së gjatë ditës.
- Prozhem, Pukë – Vatra mbetet ende aktive në një sipërfaqe pyjore. Forcat zjarrfikëse, shërbimi pyjor dhe banorë të zonës po punojnë në terren. Era ndikon në intensitetin e flakëve, por aktualisht nuk paraqitet rrezik për banesat.
- Shtanë–Tenë, Mirditë – Operacionet janë në vazhdim, me angazhimin e forcave lokale dhe të Forcave të Armatosura. Nuk është raportuar rrezik për banesat.
- Mali i Dajtit – Ndërhyrja vazhdon me 25 efektivë të MZSH-së, 5 punonjës të ADZM-së dhe 30 ushtarakë të FA-së, të mbështetur nga 1 helikopter dhe 2 avionë Air Tractor. Në këtë zonë nuk ka kërcënim për banimet e afërta.
Zjarri në Dukat është shuar tërësisht, ndërsa vatrat e tjera vazhdojnë të jenë nën mbikëqyrjen e strukturave në terren.

