Banorët e fshatit Mali Kolaj në Velipojë kanë ngritur shqetësimin për disa raste të dëmtimit dhe hapjes së varreve në varrezat e zonës.
Sipas tyre, fenomeni është shfaqur prej rreth gjashtë muajsh dhe është konstatuar në dy pjesë të varrezave. Rasti i fundit është evidentuar rreth një javë më parë, duke rritur shqetësimin e familjeve për sigurinë e varreve të të afërmve të tyre.
Banorët dyshojnë se personat përgjegjës mund të kenë synuar marrjen e sendeve me vlerë që familjarët kanë lënë pranë të ndjerëve. Ata thonë se një situatë e tillë nuk ishte hasur më parë në fshat.
Përballë mungesës së sigurisë, banorët po shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së kamerave, ndërsa nuk përjashtojnë as organizimin e rojeve gjatë natës.
“Do të detyrohemi të bëjmë roje pranë varrezave, ose të vendosim kamera sigurie për të mbrojtur varret e vjetra të fshatit”, shprehet Marash Shyti.
Edhe Vat Pëllumbi e konsideron ngjarjen veçanërisht të rëndë, duke theksuar se dëmtimi i varreve prek drejtpërdrejt familjet e të ndjerëve.
“Vjedhja e varreve është një akt kriminal dhe i papranueshëm”, shprehet ai.
Ndërsa banori Luc Shyti e lidh situatën me një tjetër periudhë të vështirë të historisë së fshatit. Sipas tij, gjatë regjimit komunist, varret e Mali Kolajt ishin dëmtuar pasi kryqet mbi to ishin thyer.
Sot, sipas Shytit, varrezat po përballen sërish me ndërhyrje, këtë herë nga persona që dyshohet se kërkojnë sende me vlerë.
“Gjatë periudhës së komunizmit, kryqet e vendosura mbi varre u thyen nga diktatura e kohës në Mali Kolaj. Sot, kjo që po ndodh është një dhunim i varreve për të dytën herë”, shprehet Luc Shyti.
Banorët kërkojnë që autoritetet të hetojnë rastet, të identifikojnë përgjegjësit dhe të marrin masa për mbrojtjen e varrezave.
Ata thonë se rasti i fundit u zbulua rastësisht dhe se shqetësimi mund të ketë vijuar prej muajsh pa u bërë publik. Për familjet e zonës, prioritet tashmë është ndalimi i këtyre rasteve dhe garantimi i respektit për vendet e prehjes së të ndjerëve.

