Një reagim i fortë ndaj kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Beci, është bërë publik nga Fation Mani, i cili ngre pretendime për standard të dyfishtë në trajtimin e qytetarëve dhe bizneseve.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Mani rikthen në vëmendje një rast të mëparshëm, kur Beci u përball me kritika për një qytetare që shiste në rrugë për të siguruar të ardhurat e familjes dhe që, sipas tij, nuk paguante taksat bashkiake.
Mani pretendon se njëkohësisht, një biznes i lidhur me Becin, në hyrje të Shkodrës, ka vendosur një tabelë në një shtyllë elektrike pa leje dhe pa paguar taksën përkatëse.
“Po biznesi i tij, në hyrje të Shkodrës, që vendos tabelën në një shtyllë elektrike, pa lejen e bashkisë dhe, njëkohësisht, pa paguar taksën përkatëse?”, shkruan Mani.
Ai u drejton pyetje Bashkisë Shkodër dhe Inspektoratit për Mbrojtjen e Konsumatorit, duke kërkuar që të sqarohet nëse ndaj këtij rasti janë marrë masa.
Në reagimin e tij, Mani e akuzon Becin për përdorim të standardeve të ndryshme dhe e mbyll statusin me një mesazh politik ndaj drejtimit të bashkisë.
“Kjo është fytyra e Rilindasve Komunistë”, shkruan ai.

