Rreth 20-30 turistë të huaj në ditë kërkojnë shërbim mjekësor në Urgjencën e Shkodrës gjatë sezonit turistik. Shifra është bërë publike nga Kliti Hoti, i cili ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si financohet trajtimi i shtetasve të huaj në sistemin shëndetësor shqiptar.
Sipas Hotit, Urgjenca e Shkodrës trajton rreth 150 pacientë në ditë, çka do të thotë se turistët e huaj mund të përbëjnë rreth 13-20% të volumit ditor të pacientëve.
“Nuk po flasim për 2-3 raste. Po flasim për një ngarkesë të konsiderueshme mbi një sistem që është ndërtuar dhe financohet për një numër më të vogël popullsie”, shprehet Hoti.
Ai ngre pyetjen se çfarë ndodh me faturën e shërbimit kur turisti nuk ka siguracion udhëtimi.
Sipas tij, në rastet kur turisti është i siguruar, merren të dhënat e siguracionit dhe pasaportës. Por pyetja mbetet: kush paguan kur turisti nuk ka siguracion?
Hoti kërkon nga Ministria e Shëndetësisë të bëjë publike të dhënat mbi kostot dhe të ardhurat që krijohen nga trajtimi i turistëve të huaj.
Sa i kushton sistemit shëndetësor shqiptar trajtimi i turistëve? A ekziston një database me turistët e trajtuar dhe diagnozat përkatëse? Sa raste janë hospitalizuar, sa operacione, koronarografi, ndërhyrje apo trajtime të tjera u janë kryer dhe sa prej këtyre shërbimeve janë faturuar e arkëtuar?
Sipas Hotit, problemi bëhet edhe më i rëndësishëm në rastet e traumave, frakturave, infarkteve apo ndërhyrjeve që kërkojnë CT, kirurgji, terapi intensive, koronarografi, angioplastikë apo vendosje stenti.
“Nuk flasim më për një injeksion apo një vizitë të thjeshtë. Aty flasim për mijëra euro për një rast”, thekson ai.
Hoti pyet gjithashtu se sa prej kostove mbulohen nga kompanitë e sigurimit dhe sa përfundojnë të financuara nga buxheti i shtetit.
Ai sjell në vëmendje edhe forcimin e kapaciteteve shëndetësore gjatë sezonit turistik, përfshirë shtimin e 13 autoambulancave të reja në vitin 2026.
“Shteti po paguan mjekë, infermierë, ambulanca, barna, aparatura, struktura, energji, materiale dhe kapacitet spitalor. Pyetja mbetet: sa nga kjo faturohet dhe rikuperohet nga turistët?”, shprehet Hoti.
Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë duhet të publikojë një bilanc të qartë për këtë çështje: sa miliona euro i kushtojnë turistët sistemit shëndetësor shqiptar dhe sa miliona euro rikuperohen përmes sigurimeve të tyre.
“Mos e bëni shëndetësinë falas për turistin dhe të shtrenjtë për shqiptarin. Nëse një shqiptar paguan taksa gjithë vitin për të financuar sistemin shëndetësor, ndërsa një turist merr shërbimin për disa ditë dhe largohet pa faturë, kemi një problem serioz. Jo me mjekët, jo me infermierët, jo me turistët, por me menaxhimin e sistemit”, përfundon Hoti.
Ai kërkon që të dokumentohet kostoja reale e çdo shërbimi të marrë nga turistët e huaj dhe të përcaktohet qartë se kush e mbulon faturën në çdo rast.

