Shkodra po përjeton ditët më të ngarkuara të sezonit veror, me një fluks të lartë vizitorësh që shtrihet nga plazhet e Velipojës deri në zonat alpine të Thethit.
Thethi vijon të jetë ndër destinacionet më të kërkuara në veri të vendit. Krahas bukurive natyrore, një ndikim në rritjen e interesit kanë pasur edhe aktivitetet kulturore e artistike që zhvillohen gjatë mbrëmjeve të verës.
Preferencat e turistëve ndryshojnë sipas destinacionit. Vizitorët e huaj shfaqin interes të madh për malet dhe natyrën e Alpeve, ndërsa pushuesit shqiptarë zgjedhin më së shumti zonat bregdetare dhe ato pranë ujit.
Në Velipojë vijon të regjistrohet një prani e madhe pushuesish, ndërsa të frekuentuara janë edhe zonat përgjatë Bunës e Kirit, si dhe Shiroka, në brigjet e Liqenit të Shkodrës.
Fluksi turistik është reflektuar edhe në qarkullimin brenda qytetit. Numri i shtuar i automjeteve ka sjellë trafik më të rënduar, veçanërisht gjatë fundjavave dhe në oraret e pikut.
Nga plazhi te mali, Shkodra po përjeton një sezon veror me ritëm të lartë, duke konfirmuar interesin në rritje për destinacionet turistike të qarkut.

