Një tjetër debat për transformimin urban të Shkodrës është hapur pas reagimit të urbanistit dhe këshilltarit të PD-së, Imeldi Sokoli, i cili ka ngritur shqetësimin për ndryshimet e ndodhura ndër vite në zonën pas Teatrit “Migjeni”.
Përmes një postimi të shoqëruar me fotografi të zonës ndër vite, Sokoli shpreh keqardhje për atë që e konsideron humbje të karakterit tradicional të një prej rrugëve më të veçanta të qytetit.
Sipas tij, ndërhyrjet e njëpasnjëshme në këtë zonë kanë prekur jo vetëm arkitekturën, por edhe lidhjen e qytetarëve me memorien dhe identitetin urban të Shkodrës.
Në fokus të reagimit është edhe një godinë e periudhës italiane, e cila, sipas Sokolit, ruan elemente arkitekturore dhe ornamente karakteristike të kohës. Ai pretendon se ndërtesa ndodhet në gjendje të amortizuar dhe rrezikon të humbasë, ndërsa ndërtimet e reja po i ndryshojnë gjithnjë e më shumë pamjen zonës.
Urbanisti e krahason këtë zhvillim me problematikat e evidentuara prej vitesh në Tiranë, duke paralajmëruar se Shkodra mund të humbasë gradualisht tiparet që e bëjnë të dallueshme nga qytetet e tjera.
“Po e bani Shkodrën nji qytet pa qytet”, është përfundimi i fortë i reagimit të tij.
Në postimin e tij, Sokoli ka publikuar edhe fotografi “dikur dhe sot”, për të ilustruar ndryshimin e peizazhit urban të kësaj pjese të qytetit.



