Taulant Balla, ka reaguar lidhur me situatën e zjarreve në vend, duke kritikuar mënyrën se si po trajtohen nga drejtësia rastet e zjarrvënieve të qëllimshme.
Në një reagim të tij, Balla thekson se Kodi Penal parashikon dënime të ashpra për zjarrvënien e pyjeve me dashje, deri në 20 vite burg. Megjithatë, sipas tij, rezultatet e hetimeve tregojnë një numër shumë të ulët të personave të shpallur fajtorë.
Duke iu referuar të dhënave të Prokurorisë së Përgjithshme, Balla thotë se gjatë pesë viteve janë hetuar 211 çështje për zjarrvënie, ndërsa vetëm 18 persona janë gjetur fajtorë. Sipas tij, shumica e procedimeve janë pushuar ose pezulluar.
“Drejtësia shqiptare është dorëzuar përballë piromanëve”, shprehet Balla, duke argumentuar se mungesa e ndëshkimit efektiv mund të nxisë përsëritjen e rasteve të zjarrvënieve.
Balla përmend edhe zjarrin e fundit në Krujë, i cili u vu nën kontroll me vështirësi, ndërsa ngre pikëpyetje mbi procedurën e ndjekur ndaj personit të dyshuar për zjarrvënien. Sipas tij, i dyshuari u lirua me urdhër të prokurorisë, pasi ndalimi nga policia u konsiderua i paligjshëm.
Në fund të reagimit, Balla paralajmëron se nëse drejtësia vijon me të njëjtin ritëm, përballja me zjarret do të bëhet gjithnjë e më e vështirë.
“Vetëm 1 në 12 raste zjarrvënie gjendet një fajtor dhe kur as ky 1 ndër 12 nuk bëhet shembull, zjarrfikësit nuk do t’ia dalin dot më”, shkruan ai.

