Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për nisjen e diskutimeve konkrete mes partive politike për emrin e presidentit të ardhshëm, me synimin për të shmangur një tjetër palë zgjedhjesh.
Kurti deklaroi të premten se partitë duhet të kalojnë nga diskutimet e përgjithshme te emrat konkretë të kandidatëve.
“Duhet të fillojmë të flasim edhe me emra, sepse po humbim shumë kohë, por më së shumti humbim duke shkuar në zgjedhje”, u shpreh ai.
Sipas Kurtit, presidenti i ardhshëm duhet të jetë një figurë konsensuale, gjithëpërfshirëse dhe me mbështetje sa më të gjerë në Kuvend dhe te qytetarët.
Ai bëri të ditur se një natë më parë u kishte dërguar kërkesë për takim kryetarëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, me qëllim diskutimin për zgjedhjen e presidentit.
“Duam që për këtë të merremi vesh paraprakisht në mënyrë që të evitojmë zgjedhjet”, tha Kurti.
Kryeministri në detyrë vlerësoi se në Kosovë ekzistojnë dhjetëra personalitete nga jeta akademike, politike dhe shoqërore, përfshirë figura që kanë kontribuar në luftë dhe në shtetndërtim, të cilët mund të konsiderohen për postin e presidentit.
Deklaratat e Kurtit vijnë një ditë pasi LDK-ja njoftoi tërheqjen nga negociatat me LVV-në për ndarjen e posteve institucionale. LDK-ja ka deklaruar se nuk kërkon asnjë pozitë, por është e gatshme të votojë për një kandidat jopartiak për president.
Ndërkohë, kriza institucionale vijon në Kuvendin e Kosovës. PDK-ja dhe AAK-ja kanë qëndruar edhe të premten në sallën e Kuvendit, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive të legjislaturës së re.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e ka akuzuar LVV-në për shkelje të afatit kushtetues.
“LVV-ja e ka kaluar një kufi që nuk është dashur ta kalojnë kurrë. Ata qëllimshëm e kanë shkelur afatin kushtetues për konstituimin e Kuvendit”, tha Hamza.
Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje këmbëngul se përpara vazhdimit të procedurave për konstituimin e Kuvendit duhet të arrihet një marrëveshje politike për presidentin e ardhshëm.
Kriza politike është rikthyer pas zgjedhjeve të 7 qershorit, të cilat prodhuan këtë përbërje të Kuvendit: LVV me 53 deputetë, PDK me 22, LDK me 18 dhe AAK me shtatë deputetë.
LVV-ja ka numrat e nevojshëm për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re, duke llogaritur edhe votat e deputetëve të komuniteteve joshumicë. Megjithatë, për zgjedhjen e presidentit kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallën prej 120 mandatesh.
Nëse partitë nuk arrijnë një marrëveshje, Kosova rrezikon të përballet sërish me zgjedhje të reja.

