Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd, i cili konfirmoi se Ukraina nuk e njeh Kosovën.
Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Rama ka kundërshtuar zërat në Shqipëri dhe Kosovë që kërkojnë ndryshimin e qëndrimit ndaj Ukrainës për shkak të pozicionit të Kievit për Kosovën.
Rama e cilëson të gabuar qëndrimin e Ukrainës për Kosovën, por thekson se kjo nuk e ndryshon mbështetjen e Shqipërisë për popullin ukrainas dhe të drejtën e tij për liri.
Sipas kryeministrit, mbështetja ndaj Ukrainës nuk mund të kushtëzohet nga interesat apo qëndrimet që një shtet tjetër mban në çështje të veçanta.
“Liria nuk është një marrëdhënie shkëmbimi”, shprehet Rama, duke shtuar se kundërshtimi i luftës së agresionit dhe mbështetja për një paqe të drejtë nuk mund të tërhiqen vetëm sepse Ukraina ka një qëndrim që Shqipëria nuk e ndan për Kosovën.
Rama argumenton se Shqipëria mund të mbajë njëkohësisht dy qëndrime: të mos pajtohet me mosnjohjen e Kosovës nga Ukraina dhe, në të njëjtën kohë, të vijojë të mbështesë Ukrainën përballë agresionit rus.
Në reagimin e tij, kryeministri kritikon edhe ata që, sipas tij, kanë përdorur deklaratën e Zelenskyt për të kërkuar distancim nga Ukraina, ndërsa disa kanë shkuar deri në mbështetjen e Rusisë.
“Ukraina mund të jetë, dhe po, është gabim për Kosovën, por e drejta e saj për të qenë e lirë mbetet e padiskutueshme”, shkruan Rama.
Në fund, ai e përmbledh qëndrimin e tij me mesazhin: “Ukrainë e lirë. Sot, nesër dhe gjithmonë.”

