Punimet në kantierin e “Rozafa Tower” do të vijojnë përkohësisht edhe për dy ditë, me një autorizim të posaçëm nga Drejtoria Rajonale e IKMT Shkodër, pavarësisht vendimit për pezullimin e punimeve gjatë sezonit turistik.
Vendimi është marrë pas një inspektimi në terren, ku është konstatuar se aktiviteti në kantier vazhdonte. Sipas IKMT-së, ndalimi i menjëhershëm në këtë fazë do të mund të sillte probleme me stabilitetin e gropës së hapur të ndërtimit dhe rrezik për rrëshqitje.
Për këtë arsye, institucioni ka dhënë leje që punimet të vijojnë vetëm për 48 orë dhe në orare të përshtatshme, me kusht që ndërhyrjet të kufizohen te masat e nevojshme për sigurimin dhe stabilizimin e gropës.
IKMT bën me dije se situata do të monitorohet gjatë këtyre dy ditëve dhe se nuk bëhet fjalë për vijim normal të punimeve të objektit, por vetëm për ndërhyrje që lidhen me sigurinë e kantierit.
Pas përfundimit të tyre, aktiviteti ndërtimor pritet të ndalet, në përputhje me masat e pezullimit të punimeve gjatë sezonit turistik, të përcaktuara në VKM-në nr. 618, datë 30.07.2026.

