Shkodra po pret edicionin ballkanik BUM 2026, një takim që ka mbledhur studiues dhe ekspertë të biodiversitetit nga vende të ndryshme të rajonit, me fokus monitorimin dhe mbrojtjen e pilivesave. Vëmendja kryesore është përqendruar te Liqeni i Shkodrës dhe lumi Buna, ku po studiohen llojet e pilivesave, habitatet e tyre dhe kushtet që ndikojnë në riprodhimin e tyre. Sipas specialistëve, numri dhe larmia e këtyre insekteve shërbejnë si tregues të rëndësishëm të shëndetit të ekosistemeve ujore.
Biologia dhe organizatorja e aktivitetit, Aurora Pirovic, u shpreh se për herë të parë takimi Balkan Odonata Meeting po zhvillohet në Shqipëri, pikërisht në Shkodër. Ajo theksoi se pilivesat konsiderohen ndër bioindikatorët më të rëndësishëm të Liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna, megjithëse mbeten një grup organizmash ende pak i studiuar.
Rezultatet paraprake të monitorimit kanë nxjerrë në pah një pasuri të konsiderueshme biologjike. Gjatë dy ditëve të para janë identifikuar mbi 40 lloje pilivesash në zonën e liqenit dhe të lumit Buna, ndërsa studiuesit besojnë se numri mund të jetë edhe më i lartë, pasi kërkimet vijojnë.
Biologia dhe pedagogia e Universitetit të Prishtinës, Ferdije Zhushi Et’hemi, tha se lista përfundimtare ende nuk është përmbyllur, por numri i deritanishëm i specieve tregon se ekosistemi paraqet një gjendje të mirë.
Nga ana e tij, entomologu Dejan Kulier nga Muzeu i Shkencave të Natyrës në Sarajevë vlerësoi Liqenin e Shkodrës si një nga zonat më të rëndësishme për pilivesat në Evropë. Sipas tij, liqeni karakterizohet nga një shumëllojshmëri habitatesh dhe vegjetacioni, duke strehuar edhe specie të mbrojtura me rëndësi evropiane, si Oxygastra curtisii.
Ekspertët nënvizojnë se ruajtja e pilivesave ka rëndësi shumë më të gjerë sesa mbrojtja e një grupi insektesh, pasi ato janë pjesë e një zinxhiri natyror që ndikon drejtpërdrejt në ekuilibrin e ekosistemeve ujore.




