Zotkaj i Poliçanit braktis mbledhjen e Ramës: PS mosmirënjohëse! Rama: Djegia e teserave, paturpësi! Përzë Memën e Dimalit

Publikuar me datë:

Më shumë se katër orë diskutime për reformën territoriale, debate të forta dhe përplasje të drejtpërdrejta mes kryeministrit Edi Rama dhe disa prej kryebashkiakëve të majtë. Mbledhja e zhvilluar në Kuç të Vlorës, ku në fokus ishte harta e re territoriale, ka qenë larg një takimi rutinë.

Burime bëjnë me dije se tensionet kanë kulmuar në përballjet e Ramës me kryetarët e bashkive që pritet të humbasin statusin e tyre, mes tyre Policanin, Dimalin, Selenicën dhe Divjakën.

Një nga momentet më të tensionuara është shënuar gjatë përplasjes mes kryeministrit dhe kryetarit të Bashkisë së Policanit, Adriatik Zotkaj. Rama i ka bërë të qartë se, sipas tij, nuk duhej të ishte pjesë e takimit, ndërsa ka kritikuar ashpër edhe protestën e zhvilluar më herët në Polican, ku u dogjën kartat e anëtarësisë së Partisë Socialiste.

Rama: “Ti nuk duhet të ishe fare këtu. Ajo që bëri Policiani me djegien e kartave ishte një akt paturpësie.”

Zotkaj, i cili prej kohësh ka kundërshtuar publikisht shkrirjen e Bashkisë së Policanit, duke argumentuar se reforma do të largojë shërbimet nga qytetarët, i është përgjigjur duke mbrojtur qëndrimin e tij.

Zotkaj: “Komuniteti i’u përgjigj veprimit mosmirënjohës të PS-së dhe Kryeministrit. Në ka një mosmirënjohje është ajo e PS.”

Debati ka vijuar edhe me kryetaren e Bashkisë së Dimalit, Juliana Memaj. Gjatë diskutimit për rolin dhe kompetencat e pushtetit vendor, Rama i është drejtuar me ironi kryebashkiakes.

Rama: “Ju udhëheqësit e mëdhenj!”

Përgjigjja e Memajt ka qenë e drejtpërdrejtë dhe ka tensionuar më tej situatën.

Memaj: “Ç’udhëheqës zeza! Ne jemi bërë si punëtorë komunaleje.”

Kjo deklaratë, sipas burimeve, ka irrituar kryeministrin, i cili i ka kërkuar kryetares së Dimalit të largohej nga mbledhja.

Përplasjet nuk janë kufizuar vetëm te Polican dhe Dimal. Edhe kryetarët e Selenicës dhe Divjakës, Nertil Bello dhe Josif Gorrea, kanë debatuar me Ramën dhe ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, duke mbrojtur qëndrimin kundër shkrirjes së bashkive të tyre.

Nga ana tjetër, Rama ka pretenduar se kundërshtimi i kryebashkiakëve po shkon përtej debatit institucional, duke i akuzuar se po nxisin komunitetet lokale kundër reformës territoriale.

Një tjetër pikë e fortë e diskutimit ka qenë ajo që kryebashkiakët e kanë cilësuar si standard i dyfishtë në përzgjedhjen e bashkive që do të shkrihen. Sipas tyre, bashki si Peqini, Vau i Dejës apo Roskoveci kanë tregues më të dobët performance, por megjithatë nuk janë përfshirë në të njëjtën mënyrë në ndryshimet e propozuara.

Mbledhja, e cila zgjati mbi katër orë, është fokusuar tërësisht te reforma territoriale dhe mënyra se si do të riorganizohen bashkitë në hartën e re.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

Grave në Afganistan iu lejohet të dalin nga shtëpia 1-2 herë në muaj

Sipas një raporti të UN Women, gjysma e grave...

Musa Kurtulaj: Vrojtuesit e pyjeve, pse mungojnë në vëmendjen e institucioneve?

Nga Musa KURTULAJ : -Ku janë ata në këtë situatë me zjarre…?- Në situatën e rëndë të krijuar edhe në Shqipëri nga zjarret në pyje, tërheq vëmendjen fakti se pothuajse askush nuk po flet për vrojtuesit e pyjeve. Ndërsa zonat e mbrojtura kanë rojet mjedisore gjatë gjithë vitit, pjesa tjetër e pyjeve, që administrohet nga […]

Gjermani/ Gjendet objekt i dyshimtë në shinat e trenit, përhapet alarm

Policia gjermane shpalli alarm të hënën, pasi në shinat...