Një rast i dyshuar i helmimit të qenve është denoncuar në hyrje të zonës së Qafëhardhisë në Shkodër, duke shkaktuar shqetësim tek banorët.
Sipas denoncimit, gjatë mbrëmjes së kaluar dy qen dyshohet se janë helmuar. Njëri prej tyre ka ngordhur, ndërsa tjetri është dërguar në një klinikë veterinare për trajtim, pas ndërhyrjes së dy qytetarëve që e kanë gjetur në gjendje të rënduar.
Rasti ka ngritur shqetësime lidhur me rrethanat e ngjarjes dhe personin apo personat që mund të fshihen pas këtij veprimi.
Qytetarët kërkojnë që rasti të verifikohet dhe, nëse konstatohen shkelje, përgjegjësit të përballen me pasojat ligjore.



