Policia njoftoi të dielën se adoleshenti tajlandez, i cili kreu të shtënat fatale në një shkollë pranë Bangkok-ut, kishte konsumuar rregullisht përmbajtje të dhunshme në internet përpara sulmit.
Hetimet flasin se 14-vjeçari fillimisht vrau gjyshërit e tij në banesë, më pas ndërmori vrasjen e gjashtë personave të tjerë brenda shkollës, përpara se t’i drejtonte armën vetes. Sipas policisë, ai kishte përdorur rrjetet sociale për të marrë njohuri mbi përdorimin e armëve të zjarrit.
“Sipas intervistave me dëshmitarët, autori i krimit kishte filluar të tregonte interes për të studiuar përdorimin e armëve të zjarrit për njëfarë kohe, rreth një deri në dy vjet”, tha , zëvendëskomisioneri i Rajonit 1 të Policisë Provinciale.
Atthapol bëri të ditur se janë pyetur 17 dëshmitarë deri tani dhe se, përveç armës së zjarrit, gëzhojave të përdorura dhe kompjuterit personal të djalit, në çantën e tij u gjet edhe një thikë. Të gjitha këto janë sekuestruar si prova nga vendngjarja.
“Pas shqyrtimit të kompjuterit, u zbulua se fëmija kishte parë përmbajtje në mediat sociale që përfshinte dhunë”, tha zëvendëskomisioneri, por shtoi se ende nuk kishte prova se ai ishte praktikuar të qëllonte me armë.
Sipas të njëjtit burim, një vit më parë, një mësues ishte detyruar t’i konfiskonte një pushkë BB, që është një armë me ajër të kompresuar, pasi djali e kishte sjellë në shkollë. 14-vjeçari kishte jetuar me gjyshërit për 12 vite, që pas divorcit të prindërve.
Ministria e Arsimit ka njoftuar plane për përgatitjen e protokolleve të reja sigurie gjatë tre muajve të ardhshëm. Këto masa të reja do të përfshijnë vlerësime të shëndetit mendor dhe një sistem për referimin tek specialistët të personave në rrezik, stërvitje për situata emergjente, fushata kundër bullizmit dhe kontrolle më efektive për të parandaluar futjen e sendeve të ndaluara në shkolla.
Krahas viktimave të vrarë, më shumë se 20 njerëz u plagosën në këtë ngjarje që konsiderohet ndër të shtënat masive më të rënda në Tajlandë që prej vitit 2022. Ky incident ka shtuar sërish diskutimet rreth kontrollit të armëve të zjarrit në shtetin që ka nivelin më të lartë të armëmbajtjes në Azinë Juglindore.

