Policia e Tiranës ka zbardhur dhe dokumentuar ngjarjen e ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në lagjen “Tufinë”, ku një sasi lënde plasëse shpërtheu në derën e banesës private të një 72-vjeçari. Në kuadër të operacionit të koduar “Motivi”, janë shpallur në kërkim tre vëllezër me precedentë penalë si autorë të dyshuar të ngjarjes.
Nga veprimet hetimore dhe këqyrja e provave në vendngjarje nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, u bë e mundur shpallja në kërkim e shtetasve; Ervis Alla, Altin Alla dhe Maksim Alla.
Të tre vëllezërit, të cilët janë persona me precedentë të mëparshëm penalë, akuzohen për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, e kryer në bashkëpunim.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:30, kur tre vëllezërit, dyshohet se për motive të dobëta, kanë vendosur dhe shpërthyer lëndën plasëse në derën e banesës së shtetasit J. M., 72 vjeç. Nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme të pakta materiale.
Aktualisht, forcat e policisë po vijojnë punën për lokalizimin dhe kapjen e tre vëllezërve, ndërsa materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

