Sarandë/ “Më tha se ishin lodra”, por në makinë kishte 4 pistoleta Glock. Zbardhet dëshmia e të arrestuarit

Publikuar me datë:

Një operacion policor i ndërmarrë dy javë më parë rezultoi në sekuestrimin e katër pistoletave, të destinuara për Sarandën. Aksioni u organizua në tunelin e Skërficës në segmentin rrugor Kardhiq-Delvinë, ku u arrestua Kejdi Banaj, 31 vjeç. Në deklaratat e dhëna para hetuesve, Banaj përmendi rolin e një tjetër individi, 26-vjeçarit E. S nga Tirana, i cili kishte qenë i shpallur në kërkim më parë, për një akuzë të ngjashme në mars të këtij viti.

Referuar dosjes hetimore, policia kishte marrë informacion se një automjet i marrë me qira nga Kejdi Banaj mund të përdorej për transportin e armëve të zjarrit. Sipas të dhënave, Banaj planifikonte të ngarkonte këtë makinë në një karrotrec që përdorte vetë dhe të udhëtonte më pas drejt Sarandës. Gjithashtu, kishte dyshime se ai do të merrte afërsisht 500 gramë kokainë në Lushnje, për ta transportuar në Sarandë ku do ta shiste me doza të vogla. Burime operative pohuan se poseduesi i dyshuar i lëndës narkotike ishte nga Lushnja, ende i paidentifikuar, dhe do të ndiqte Banajn me një automjet deri në destinacionin final në Sarandë.

Pas vëzhgimit të lëvizjeve, policia ndaloi automjetin në pikën “Tuneli i Skërficës” rreth orës 16:15, me drejtues Kejdi Banaj. Gjatë kontrollit, në pjesën e pasme të mjetit, nën tapicerinë pranë vendit të pasagjerit të djathtë, u zbulua një thes plastik i zi ku ndodheshin katër armë zjarri të tipit pistoletë “Glock”.

Banaj është treguar bashkëpunues me autoritetet, duke dhënë edhe kodin e celularit të tij si dhe duke identifikuar bashkëpunëtorët e tjerë. Ai ka pohuar se banon në Tiranë dhe është pronar i një zyre imobiliare në zonën e Astirit. Sipas dëshmisë së tij, më 14.07.2026 rreth orës 13:00, tek biznesi i tij është paraqitur një shtetas me emër E., mbiemrin nuk e kujton, djali i “M…” që banon në “Rrugën e Kavajës” për të kërkuar atë. Për shkak të mungesës së Banajt, E. takoi babain e tij, mori numrin e telefonit dhe e kontaktoi. Banaj rrëfen se u takuan poshtë shtëpisë me bashkëshorten dhe vajzën. Për këtë, sipas tij, mund të vërtetohen telefonatat në pajisjen e tij me kod 2580. Personi në fjalë i kërkoi gjetjen e një apartamenti dhe një makine me qira në Sarandë. Banaj, së bashku me bashkëshorten, vajzën dhe kunatin – që nuk ia di emrin – u nisën për Sarandë. Më 15.07.2026 rreth orës 08:00, E. i kërkoi të shkonin në Tiranë për të marrë diçka dhe i premtoi pagesën prej 150 eurosh për ta shërbyer si shofer. Banaj tregon se ia la makinën dikujt dhe mori një “Citroen” me targa AB 302 SF, pa ditur më shumë detaje. Gjatë rrugës ndaluan pranë “Hotel I…” në autostradën te “Qafa e Kasharit”. E. dhe kunati i tij zbritën, morën një qese të zezë mes ferrave, e futën në makinë dhe i kërkuan të vazhdonte rrugën drejt Sarandës. Banaj, më tej, kaloi në një automjet tjetër “Skoda” gri, që ia lanë aty, duke theksuar se ishte i vetëdijshëm për praninë e sendeve të jashtëligjshme në makinë, por mendoi se ishin lodra.

Para gjykatës në seancën për masën e sigurisë, Banaj ofroi shpjegime të mëtejshme: “Une jam përforues i lëndëve narkotike prej vitesh dhe nuk e di fare se si ka ndodhur ngjarja. Mua me morën te shtëpia më çuan aty dhe s’kam ditur fare. Nuk kam qenë i vetëdishëm në rastin konkret se si ndodhi ngjarja, vazhdoj që mos të jem i kthjellët.Unë kam deklaruar te gjithe te verteten. Më mori E… S…. Kam 20 vjet qe e njoh. Më ka ardh dhe me ka thenë do ikim në Sarandë te gjejmë nje shtepi te benim ca ditë plazh. Ai ishte me nusen dhe femijen. Kishim kohe pa u takuar. Nusen e tij e lamë ne Elbasan, shkuam ne Tiranë, ai mori një porosi dhe e futi ne makinën time, ndërsa vetë mori nje makinë tjeter. Rrugës ndodhi ca ndodhi, mua me kapen, ai iku se ishte para me makinë. Kur me kanë kapur ateher kam kuptuar ca kam pasur ne makinë. Qesen e zezë që la tek makina ime e mori ai me kunatin e tij në Tiranë dhe unë nuk e dija ca kishte aty. Erdhi më takoi papritur, kisha 4 vjet pa e pare. Në fillim më kërkoi tek babai, atij ja mori numrin e telefonit, pastaj më takoj mua.”.

Gjykata ka vendosur ndaj Banajt masën “Arrest në burg”, ndërsa ende mbetet e paqartë nëse bashkëpunëtorët e tij janë shpallur zyrtarisht në kërkim.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related