Federata Shqiptare e Futbollit i ka dërguar një komunikim zyrtar Sekretarit të Përgjithshëm të FIFA-s, Mattias Grafström, duke e informuar për tërheqjen e mbështetjes që kishte dhënë më parë për kandidaturën e z. Gianni Infantino për një tjetër mandat katërvjeçar si President i FIFA-s.
Letra, e nënshkruar nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, thekson se pas analizimeve të brendshme shtesë dhe një vlerësimi të hollësishëm të rrethanave, Federata Shqiptare e Futbollit ka marrë vendimin të revokojë mbështetjen e saj për kandidaturën e z. Infantino.
Kjo lëvizje pason zhvillimet e fundit në arenën ndërkombëtare të futbollit, si dhe qëndrimet e shprehura nga një sërë federatash europiane në lidhje me mënyrën e qeverisjes së FIFA-s.
FSHF riafirmon angazhimin për të vijuar bashkëpunimin me UEFA-n dhe partnerët ndërkombëtarë, duke mbështetur qeverisjen e futbollit mbi parimet e transparencës, integritetit dhe interesit të përgjithshëm të sportit.

