Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, ka reaguar lidhur me debatin për reformën territoriale, duke argumentuar se fokusi duhet të jetë te kompetencat dhe decentralizimi dhe jo te ndryshimi i kufijve administrativë.
Në një reagim të tij, Ndreu ngre pyetjen se çfarë do të ndryshojë për qytetarët nëse pushteti, fondet dhe vendimmarrja vijojnë të përqendrohen në nivel qendror.
Sipas tij, një reformë territoriale nuk mund të matet vetëm me hartën e re administrative, por me aftësinë e bashkive për të ushtruar kompetenca reale, për të pasur burime financiare dhe për të ofruar shërbime më të mira.
Ndreu kritikon gjithashtu debatet e zhvilluara gjatë konsultimeve publike, duke i cilësuar ato të mbushura me akuza dhe slogane, ndërsa kërkon më shumë alternativa konkrete nga kundërshtarët e reformës.
“Qytetari nuk pyet ku kalon kufiri administrativ. Pyet nëse ka ujë, rrugë, pastrim, transport, shkolla dhe shërbime cilësore”, shprehet Ndreu, duke e përmbledhur debatin te nevoja për decentralizim dhe përmirësim të drejtpërdrejtë të shërbimeve.

