Ish-futbollisti i njohur shqiptar dhe ish-lojtari i Kombëtares, Olgerd Muka, është arrestuar në Francë nën akuzën e shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Sipas autoriteteve franceze, 46-vjeçari u ndalua në qytetin e Dizhonit pas një operacioni policor që zgjati më shumë se dhjetë ditë. Muka dhe një shtetas tjetër shqiptar u kapën në flagrancë, ndërsa dyshohet se po shpërndanin kokainë në një park të qytetit.
Pas arrestimit, ish-futbollisti u paraqit para gjykatës, ku deklaroi se vështirësitë ekonomike e kishin shtyrë të përfshihej në këtë aktivitet të paligjshëm.
“Rreth 18 muaj më parë kalova një sëmundje dhe humba vendin e punës”, u shpreh ai, duke shtuar se gjendja e rënduar financiare e familjes e detyroi të pranonte këtë rrugë për të siguruar të ardhura.
Gjatë karrierës së tij sportive, Muka ka veshur fanellat e disa prej klubeve më të njohura shqiptare, si Lushnja, Teuta, Dinamo, Bylis, Flamurtari, Partizani dhe Besa, ndërsa ka qenë edhe pjesë e Kombëtares shqiptare në disa ndeshje miqësore.

