Ditët e nxehta të gushtit paraqesin rrezik të shtuar për shëndetin e të gjithë grupmoshave, por më të prekshmit janë fëmijët e vegjël. Kontakti i drejtpërdrejtë me diellin, veçanërisht gjatë intervaleve të pikut, mund të sjellë dehidratim, lodhje, dobësi dhe një sërë shqetësimesh të tjera shëndetësore tek kjo kategori.
Pediatrja Manjola Shpori i ka bërë thirrje prindërve që të jenë të kujdesshëm, duke i këshilluar ata të evitojnë daljet me fëmijët në orët më të nxehta dhe të tregojnë vigjilencë të shtuar në sigurimin e mbrojtjes së tyre.
Ajo thekson se në këtë periudhë duhet kushtuar vëmendje të veçantë hidratimit të vazhdueshëm. Shpori rekomandon që fëmijëve t’u ofrohet ujë rregullisht, edhe nëse ata nuk shfaqin etje.
Kujdes i veçantë duhet treguar edhe për veshjen e tyre: rrobat duhet të jenë të lehta, të rehatshme dhe me ngjyra të hapura. Përdorimi i kapeleve dhe qëndrimi në ambiente të freskëta ose në hije janë masa të rëndësishme për të reduktuar efektet e temperaturave të larta.
Mjekët sugjerojnë që prindërit të jenë syhapur ndaj çdo ndryshimi në gjendjen e fëmijëve, si plogështia, marramendja, tharja e gojës apo rritja e temperaturës së trupit. Nëse vihen re këto shenja, këshillohet ndërprerja e ekspozimit ndaj të nxehtit dhe kërkimi i ndihmës së menjëhershme mjekësore.

