Operacioni për shuarjen e zjarrit në territorin e Bashkisë Finiq po vijon nën menaxhimin e Forcave të Mbrojtjes Civile, ndërsa situata mbetet nën vëzhgimin e vazhdueshëm të strukturave të angazhuara operacionale.
Në zonën e prekur, zjarrfikës nga Delvina, Finiqi dhe Konispoli, së bashku me rreth 50 vullnetarë dhe 40 trupa të Forcave të Armatosura, janë duke punuar për të izoluar dhe shuar vatrat e zjarrit.
Përpjekjeve tokësore u është shtuar mbështetja ajrore, ku Forcat e Armatosura kanë vënë në dispozicion tre helikopterë – dy Cougar dhe një Black Hawk – të cilët realizojnë fluturime për të ndaluar përhapjen e flakëve.
Të gjitha strukturat që veprojnë në vendngjarje vazhdojnë të punojnë në harmoni të plotë, me synimin për të vendosur zjarrin nën kontroll dhe për të parandaluar zgjerimin e tij të mëtejshëm.

