Një mbrëmje e veçantë u mbajt në mjediset e Muzeut Historik të Shkodrës, ku u organizua aktiviteti artistik me titull “Ngjyrat që dëgjojnë muzikën”. Ky event bashkoi artin pamor, muzikën dhe psikologjinë, duke synuar të nxjerrë në pah efektet pozitive që arti sjell në shoqëri.
Qamil Gjyrezi, muzikolog dhe ideator i kësaj ngjarjeje, theksoi rëndësinë e artit si një instrument kyç për edukimin shpirtëror dhe kulturor të individit. Sipas tij, arti kontribuon në ndërtimin e një komuniteti më të ndjeshëm, me më shumë kreativitet dhe solidaritet.
Psikologia Antonjeta Pero, nga ana e saj, u fokusua në ndikimin e artit në mirëqenien emocionale dhe shëndetin mendor të individit. Pasurimin e atmosferës e sollën interpretimet muzikore nga Lulka Merkulaj dhe Irsa Mashi, të cilat emocionuan të pranishmit dhe dëshmuan se muzika mbetet një ndër format më të fuqishme të komunikimit artistik.
Të ftuarit vlerësuan shumë këtë aktivitet, veçanërisht anëtarët e Shtëpisë së të Moshuarve Shkodër, duke reflektuar kështu mesazhin pozitiv që arti mund të sjellë në zhvillimin e një shoqërie.

