Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja tragjike në fshatin Domen të Postribës në Shkodër, ku një 24-vjeçare dhe dy fëmijët e saj humbën jetën pasi banesa e vjetër ku ndodheshin u përfshi nga zjarri.
Sipas burimeve pranë grupit hetimor, tre viktimat janë gjetur shumë pranë njëra-tjetrës, të shkrumbuara nga flakët. Dyshohet se në momentin kur ka nisur zjarri, nëna ka tentuar të mbrojë fëmijët e saj, por nuk ka mundur të dalë nga banesa.
Burimet bëjnë me dije se fëmija rreth 18 muajsh është gjetur në krahët e nënës, ndërsa fëmija tjetër, 3 vjeç, është gjetur pranë tyre. Hetuesit po verifikojnë nëse dy të miturit kanë qenë në gjumë në momentin kur ka ndodhur shpërthimi.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, policia dhe zjarrfikësit kanë gjetur një pjesë të mbetur të një bombole të vogël gazi, e cila është sekuestruar si provë materiale. Në banesë është gjetur edhe susta e një shtrati, ndërsa pjesa tjetër e sendeve është shkatërruar plotësisht nga zjarri.
Provat e mbledhura do t’i nënshtrohen ekspertizës në Tiranë për të përcaktuar shkakun e saktë të shpërthimit dhe rënies së zjarrit.
Bashkëshorti i viktimës dhe babai i dy fëmijëve ka deklaruar para hetuesve se familja kishte marrë me vete edhe një shishe benzine, të cilën do ta përdornin për disa punime dhe pastrime në banesën e vjetër. Ai ka treguar se ishte larguar për pak kohë drejt një marketi për të blerë disa produkte, ndërsa gjatë mungesës së tij banesa u përfshi nga flakët.
Një nga pistat kryesore të hetimit është mundësia që zjarri të ketë nisur gjatë përpjekjes për ndezjen e bombolës së gazit për gatim, ku një rrjedhje e mundshme gazi mund të ketë shkaktuar shpërthimin.
Fakti që banesa ndodhej në një zonë të izoluar, pa objekte të tjera pranë, ka bërë që zjarri të konstatohej me vonesë. Terreni i vështirë malor dhe mungesa e një njoftimi të menjëhershëm kanë ndikuar në përmasat tragjike të ngjarjes.
Familja Çelaj jetonte në Gjermani dhe kishte ardhur në Shqipëri disa ditë më parë për pushime. Ata kishin shkuar në banesën e vjetër familjare për ta pastruar dhe për të kaluar disa orë aty, por vizita u kthye në një tragjedi që tronditi opinionin publik.

