Detaje tronditëse kanë dalë në dritë nga vrasja e 32-vjeçares britanike Sonia Exelby, e cila u gjet e pajetë më 17 tetor 2025 në Florida, SHBA. Sipas dokumenteve zyrtare të çështjes, ajo dyshohet se kishte udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara me qëllimin për të takuar persona të njohur në internet, të gatshëm ta torturonin dhe ta vrisnin.
Për këtë ngjarje është arrestuar dhe akuzohet për vrasje të shkallës së parë dhe rrëmbim 53-vjeçari Dwain Hall, banues në Ocala, i njohur në internet me pseudonimin “Alphasadist”. Sipas hetimeve, Hall përshkruhet si ndjekës i një sekti pagan.
Dokumentet e hetimit tregojnë se Exelby kishte kontaktuar me Hall në internet dhe, pasi i kishte rrëfyer synimet e saj, kishte planifikuar largimin nga Britania e Madhe që në gusht të vitit 2024. Familjarët, pasi mësuan për aktivitetin e saj në internet, u përpoqën ta ndalonin dhe ta mbronin, por në prill të vitit 2025 ajo arriti të udhëtonte drejt SHBA-së dhe ta takonte personalisht.
Sipas autoriteteve, pas mbërritjes në SHBA, ndaj saj nisën aktet e dhunës. Pak para se të humbte jetën, Sonia u dërgoi mesazhe miqve të njohur në internet, ku përshkruante situatën dramatike në të cilën ndodhej. Në një prej tyre shkruante: “Më tha ta vrisja nëse doja të jetoja. Ai është duke bërë dush, por unë jam e mbyllur me çelës dhe nuk mund të arratisem. Koha ime ka mbaruar.”
Sipas akuzës, pak më vonë Hall e vrau me katër goditje me thikë dhe më pas e transportoi trupin në një zonë pyjore pranë banesës ku qëndronin.
Hetuesit dyshojnë gjithashtu se Hall e kishte detyruar 32-vjeçaren të tërhiqte para për llogari të tij dhe të regjistronte një video, ku ajo deklaronte se ishte vetë ajo që e kishte detyruar atë ta vriste. Sipas autoriteteve amerikane, i dyshuari tentoi ta fshinte videon, por hetuesit arritën ta rikuperonin. Materiali tashmë është pjesë e provave në procesin gjyqësor që po zhvillohet në SHBA.

