18-vjeçar është identifikuar dhe arrestuar për plagosjen e shtetasit Vildan Kepëca me një mjet prerës (thikë), brenda ambienteve të Poliklinikës.
Po ashtu, në pranga ka përfunduar edhe babai i tij, i dyshuar si bashkëpunëtor në krim.
Falë një serie kontrollesh intensive dhe veprimeve hetimore e operative të realizuara nga specialistët e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Shkodrës, u arrijt të ndaloheshin dhe arrestoheshin personat e përfshirë në këtë ngjarje të ndodhur në lagjen “Vasil Shanto”. Ndër të arrestuarit janë:
– Arvin Fregjaj, 18 vjeç, banues në Shkodër, i akuzuar për veprat penale “Vrasja me dashje” në tentativë, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prishja e qetësisë publike”;
– Agron Mehmeti, 53 vjeç, babai i 18-vjeçarit, gjithashtu nga Shkodra, për veprën penale “Vrasja me dashje” në tentativë, kryer në bashkëpunim.
Hetimet kanë ngritur dyshime se këta individë, në koordinim me njëri-tjetrin, kanë plagosur me një mjet prerës (thikë) shtetasin 32 vjeçar, i cili tani ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Në lidhje me këtë incident, përpara këtij rasti, policia ka parandaluar një tjetër ngjarje kriminale duke arrestuar në flagrancë shtetasin A. K., 41 vjeç, vëllanë e Vildanit.
Materialet e procedurës janë kaluar në Prokurori për veprime të mëtejshme.

