Pas përplasjes me Sali Berishën gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së, ish-kandidatja për deputete dhe anëtarja e këtij forumi, Ilirjana Kuçanaj, ka dalë me akuza të forta ndaj drejtimit të partisë.
Ajo deklaroi se kryetarja e Këshillit Kombëtar, Julinda Emiri, ka shkelur statutin duke mos lexuar në fillim të mbledhjes rezolutën që kishte depozituar, e cila, sipas saj, kishte në fokus afrimin e Partisë Demokratike me protestat qytetare dhe luftimin e fenomenit që ajo e cilësoi si “mulizimi” i partisë.
Kuçanaj tha se i ka kërkuar Sali Berishës dhe Këshillit Kombëtar krijimin e dy strukturave të reja, një grupi intelektual që do të shërbente si urë lidhëse mes protestës dhe partisë, si dhe një forumi të studentëve dhe diasporës.
Sipas saj, PD nuk mund të ofrojë alternativë qeverisëse nëse nuk arrin të kuptojë dhe të përfaqësojë kërkesat e qytetarëve që protestojnë.
Duke u ndalur te ajo që e quajti “mulizim klanor”, Kuçanaj u shpreh se brenda partisë është krijuar një sistem ku, sipas saj, kush synon të bëjë karrierë politike duhet të ketë mbështetjen e Flamur Nokës.
Ajo kërkoi rikthimin e meritokracisë në Parti Demokratike dhe u bëri thirrje anëtarëve të Këshillit të kundërshtojnë, sipas saj, ndikimin e klaneve në përzgjedhjen e drejtuesve dhe kandidatëve.
Kuçanaj shtoi se ka depozituar edhe kërkesa të tjera, të cilat nuk i ka bërë publike për arsye etike, por paralajmëroi se do t’i bëjë të njohura nëse zëri i saj vijon të mos dëgjohet brenda forumeve të partisë.
Në përfundim, ajo theksoi se Partia Demokratike duhet të afrohet më shumë me protestat dhe qytetarët, në të kundërt, sipas saj, rrezikon të humbasë rolin e saj si alternativë politike.

