Një aksident është raportuar në aksin nacional Lushnjë-Berat, në qendër të fshatit Fier-Shegan, ku janë përfshirë dy automjete në një përplasje.
Sipas informacioneve të para, një grua e moshuar ka pësuar lëndime si pasojë e incidentit dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin e Lushnjës, ku aktualisht ndodhet nën kujdesin e stafit mjekësor.
Gjatë kohës së aksidentit, forca të ushtrisë ishin të pranishme në vendngjarje, duke ndërhyrë për të rregulluar trafikun deri sa mbërritën autoritetet e Policisë Rrugore.
Informacionet e para sugjerojnë se një automjet markë Benz ka goditur nga pas një automjet Volkswagen.
Policia Rrugore ka nisur një proces për dokumentimin e plotë të ngjarjes, si dhe po heton për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

