Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, ka shprehur reagimin e tij ndaj komenteve të fundit të Presidentit amerikan Donald Trump, duke theksuar se territori autonom nuk është në dispozitë për shitje dhe se e ardhmja e Groenlandës do të përcaktohet vetëm nga qytetarët e saj.
Nielsen, përmes një postimi në Facebook, theksoi se thirrjet e përsëritura për të marrë nën kontroll Groenlandën nuk do të ndikojnë në pozitat e autoriteteve lokale.
“E ardhmja e Groenlandës vendoset nga ne në Groenlandë dhe jo nga të tjerët. Thirrjet e përsëritura për marrjen ose kontrollin e vendit tonë nuk e ndryshojnë këtë”, shkroi ai.
Reagimi i kryeministrit pasoi një deklaratë të Trumpit gjatë samitit të NATO-s, ku Presidenti amerikane shprehu se Shtetet e Bashkuara duan të kenë kontroll mbi Groenlandën, duke theksuar rëndësinë strategjike të ishullit, i cili është një territor autonom i Danimarkës, për sigurinë amerikane.
Këto thënie kanë shkaktuar gjithashtu reagime të ashpra nga ana e Danimarkës. Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, sqaroi se pozita e vendit të saj mbetet e pandryshuar. “Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për këtë çështje është, për fat të keq, shumë i qartë, por gjithashtu edhe pozita jonë ka qenë po aq e qartë gjatë gjithë kohës. Groenlanda, natyrisht, nuk është në shitje”, tha Frederiksen.
Kjo situatë nuk është e re për Trumpin, i cili ka shfaqur vazhdimisht interes për Groenlandën. Ai ka theksuar se ky territor ka rëndësi strategjike për interesat e sigurisë së SHBA-së, ndërsa autoritetet e Groenlandës dhe Danimarkës kanë hedhur poshtë kategorikisht çdo propozim për shitje apo transferim të kontrollit mbi ishull.

